Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Athdhe Hykolli, ka thënë se të punësuarit në Kosovë ballafaqohen me probleme të përditshme.
Hykolli, ka cekur se policët dhe mjekët nuk kanë as uniforma të mjaftueshme.
Ai për policët ka thënë se kanë vetëm një palë rroba, të cilat i shfrytëzojnë si në shtëpi ashtu edhe në punë.
“Policët i kanë një parë rroba të cilat i shfrytëzojnë edhe në shtëpi edhe në punë, çdo kund tjetër. Nuk kanë mundësi që ata të kenë një kompani, ku i pastrojnë ato rroba”, ka thënë ai në emisionin “ResPublika” në Tëvë1.
Sipas tij, në të njëjtën gjendje janë edhe mjekët, të cilët me rrobat që punojnë shkojnë në shtëpi, ku kanë mundësinë që të bartin sëmundje ngjitëse.
“E njëjta gjë është edhe për mjekët, ata mund ta bartin sëmundjen nga spitali në shtëpi edhe mund të krijojnë probleme familjare duke respektuar rregullat e punës. Mjekët kanë probleme shumë të mëdha, që nuk paguhen ato shtesa që janë të nevojshme që të kemi një punë produktive, p.sh., ndërrimi i natës, rrezikshmëria e shumë e shumë procese tjera që patjetër duhet të rregullohen”, ka deklaruar Hykolli.
Ai ka thënë se si sindikatë kanë kërkuar të drejta elementare për të punësuarit në Kosovë.
“Punëtorët në Kosovë po kanë probleme të përditshme, ne po kërkojmë të drejtat elementare për të punësuarit në Kosovë, varet prej sektorit dhe specifikave që kanë”, ka shtuar ai.
Sot, gjatë ditës është shënuar 1 Maji Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.