Telenews

Vujiçiq: Prezantimi i Statutit të AKS-së ishte i pakëndshëm, Kurti e Bislimi talleshin me ne

Danijela Vujiçiq, shefe e Ekipit Menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, u tha gazetarëve në Bruksel se në takimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili po mbahet nën patronatin e BE-së, ka prezantuar Draft-Statutin e AKS-së.

Siç ka theksuar ajo, prezantimi ka qenë i sikletshëm për shkak të shqetësimeve, siç tha ajo, të shkaktuara nga delegacioni i Kosovës.

Pas takimit trepalësh, Kurti-Borrell-Vuçiq, ku u miratua Deklarata për Personat e Zhdukur, më pas u prezantua Drafti i parë i statutit të AKS-së, i cili u përgatit nga ekipi menaxhues, i cili përbëhet nga katër persona nga komuniteti serb, në krye me deputeten e Kuvendit të Serbisë, Danijela Vujiçiq.

Para gazetarëve në Bruksel, Vujiçiq tha se ishte e pamundur të prezantoheshin të 67 nenet dhe nëntë kapitujt e Statutit në 30 minutat që BE-ja i dha për formatin e bisedimeve të nivelit të lartë.

Megjithatë, Vujiçiq theksoi se ajo dhe kolegia e saj nga Ekipi Menaxhues, Jelena Beloviq, kanë përjetuar siklet, sepse përfaqësuesit e Kosovës – kryeministri Albin Kurti dhe shefi i ekipit negociator, Besnik Bislimi – sipas saj, vazhdimisht hidhnin kunja dhe talleshin.

Ajo ka thënë se “kaosi erdhi” menjëherë pasi kanë hyrë në dhomë kur presidenti Vuçiq u ka thënë: “Ku jeni serbet e mia nga Kosova dhe Metohia serbe”, për çka siç tha ajo, delegacioni i Kosovës ka reaguar ashpër.

“Nëse nuk do të ishte presidenti Vuçiq që ndërhyri për të na mbrojtur, do të ndodhte kaos”, tha Vujiçiq.

Ajo kujtoi gjithashtu se drafti i statutit të AKS-së është hartuar para pesë vitesh, në periudhën prill-gusht 2018 dhe se për atë dokument janë konsultuar kryetarët e të gjitha komunave, akademikët dhe ekspertë nga fusha të ndryshme.

“Më besoni, statuti është i shkëlqyer”, tha mes tjerash ajo.

Të ngajshme

Cilësi mesatare në Prishtinë, në listë me 100 kryeqytetet me ajrin më të ndotur

Rrezarta Ramaj

Thirret protestë kundër Albin Kurtit

Rrezarta Ramaj

Macron dënon protestat në Francë: Përgjegjësit do të ndiqen penalisht

Rrezarta Ramaj