Komuna e Skenderajt, e qeverisur nga Kryetari Fadil Nura dhe ekipi i tij, janë shpallur kampion të Kosovës në Indeksin e Transparencës për vitin 2022 – në raportin e fundit të Insitutit Demokratik të Kosovës.
Në mesin e dhjetë komunave më transparente dhe efikase janë edhe pesë komuna të tjera të qeverisuara nga PDK, Mitrovica, Prizreni, Drenasi, Ferizaj dhe Hani i Elezit.
Ndërkaq, në pjesën e parë të tabelës për qeverisje të mirë janë edhe Kaçaniku e Vushtrria.
“Kjo është ajo që kemi premtuar dhe, sot, jam tejet i lumtur dhe krenar që Kryetarët e komunave ku qeverisim ne, po përmbushin premtimet dhe vizionin tonë qeverisës: Transparent, profesional dhe në shërbim të qytetarëve”, ka deklaruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ai ka falënderuar kryetarët dhe ekipet e tyre në Skenderaj, Mitrovicë, Prizren, Drenas, Ferizaj, Han të Elezit, Kaçanik dhe Vushtrri – për punën e mirë gjatë vitit të kaluar.
“Le të jetë ky vetëm fillimi për një mandat efikas dhe që do të përmirësojë ndjeshëm komunat që ne qeverisim dhe jetën qytetarëve tanë që jetojnë aty”, ka thënë Krasniqi.