Ariana Grande ka reaguar ndaj zërave që kanë qarkulluar se ajo po planifikon të largohet nga muzika, duke theksuar se kënga dhe muzika janë gjithmonë pjesë e jetës së saj.
Fituesja e çmimit Grammy shpërndau një video në Instagram, ku performon në Met Gala 2024, duke i dhënë një përgjigje të qartë spekulimeve. Ajo shkruan:
“Shumë e çuditshme nga ana juaj të mendoni se, vetëm sepse kam duar plot me projekte të ndryshme, do të braktis këngën dhe muzikën…!!! Ajo ka qenë dhe do të jetë gjithmonë shpëtimi im. Duhet të ketë vend për të gjitha.”.
Grande, e cila kohët e fundit është angazhuar si aktore në filmin e shumëpritur “Wicked” dhe ka publikuar albumin “Eternal Sunshine” vitin e kaluar, sqaroi gjithashtu se, ndonëse karriera e saj mund të mos duket si më parë, ajo po e shijon më shumë se kurrë:
“Ndoshta nuk do të duket si më parë, por unë e preferoj shumë më tepër mënyrën si e shoh tani në mendjen time. Po e shijoj. Ndihem mirënjohëse, e emocionuar dhe e frymëzuar.”.
Në fund të mesazhit të saj, Ariana njoftoi fansat për një lajm të bukur: “Po punoj për një plan që të këndoj për ju vitin tjetër. Edhe nëse është vetëm pak. Ju dua.”.