Telenews

A e dinit se në vapë trupi humb më shumë magnez? Si ta zëvendësojmë pa suplemente?

Pse ndiheni të lodhur në vapë? Faji mund të jetë mungesa e magnezit

Një nga arsyet pse gjatë ditëve të nxehta të verës ndiejmë më shumë dhimbje muskujsh, tension, ngërçe, dhimbje koke apo kemi vështirësi në gjumë, lidhet drejtpërdrejt me mungesën e magnezit në organizëm.

Mungesa e magnezit zakonisht lidhet me inflamacionet muskulore, ngërçet, dhembjet apo migrenën – veçanërisht tek ata që stërviten rregullisht. Por mungesa e këtij minerali të rëndësishëm mund të ndodhë edhe te personat joaktivë fizikisht, dhe gjatë verës ajo bëhet më e theksuar për shkak të djersitjes së shtuar.

Çfarë është magnezi dhe pse është thelbësor për shëndetin?

Magnezi është minerali i katërt më i pranishëm në trupin e njeriut dhe është i përfshirë në mbi 300 procese jetësore përmes enzimave. Ai është jetik për funksionimin e muskujve, sistemit nervor dhe shëndetin e kockave. Gjithashtu ndihmon në:

▪ Rregullimin e sheqerit në gjak
▪ Mbajtjen e tensionit normal të gjakut
▪ Përforcimin e sistemit imunitar
▪ Prodhimin e energjisë
▪ Cilësinë e gjumit
▪ Relaksimin e muskujve dhe të nervave

Pse trupi humb më shumë magnez gjatë verës?

Magnezi humbet përmes urinës, stresit, aktivitetit fizik dhe në mënyrë të veçantë përmes djersitjes – ndaj gjatë verës kjo humbje bëhet më intensive. Nëse jeni aktiv, vallëzoni, konsumoni alkool apo ekspozoheni gjatë në diell, rrezikoni të zbrazni rezervat e magnezit më shpejt se zakonisht, transmeton Telegrafi.

Simptomat më të zakonshme të mungesës përfshijnë:

▪ Ngërçe muskulore
▪ Lodhje e pazakontë
▪ Dhimbje koke
▪ Tension i shtuar
▪ Vështirësi në gjumë

Ushqimet më të pasura me magnez janë:

▪ Avokado
▪ Çokollata e zezë
▪ Hurmat
▪ Frutat e thata (bajamet, arrat braziliane dhe indiane)
▪ Peshku salmon
▪ Perimet me gjethe jeshile
▪ Kinoa
▪ Spelt (një lloj gruri i lashtë)

A është e nevojshme të merrni suplemente?

Sipas ekspertëve, vetëm djersitja nuk është arsye e mjaftueshme për të filluar menjëherë me suplemente të magnezit. Fatmirësisht, magnezi mund të merret edhe përmes lëkurës, në mënyrë natyrale dhe efektive.

Transdermalja (përmes lëkurës) është një mënyrë shumë efikase për rritjen e nivelit të magnezit, duke përdorur:

▪ Sprej me vaj magnezi, i cili aplikohet gjatë ose pas masazheve për të qetësuar muskujt dhe përshpejtuar rikuperimin

▪ Banjo me kripë magnezi (kripë Epsom) që ndihmojnë në relaksim të thellë të trupit, reduktim të stresit dhe përmirësim të gjumit

Kur është koha më e mirë për ta përdorur magnezin si shtesë?

▪ Pas masazhit, për të rritur efektin kundër inflamacionit dhe për ta mbajtur muskulaturën të relaksuar më gjatë

▪ 30 minuta para gjumit, për të ndihmuar në qetësimin e sistemit nervor dhe për të përmirësuar cilësinë e gjumit

Në verë, më shumë se kurrë, dëgjoni sinjalet e trupit tuaj. Magnezi nuk është thjesht një mineral, është aleati juaj për qetësi, energji dhe ekuilibër trupor.

Të ngajshme

Kondicionerët, ndotës të padukshëm në ambientet tona të brendshme

KushtrimGuraj

Studimi: Abuzimi verbal në fëmijëri lë pasoja po aq të rënda sa abuzimi fizik

KushtrimGuraj

Përurohet Reparti i Hemodializës në komunën e Podujevës

Valjeta Turkaj