Zhurma e kërcitjes së gishtave sjell lehtësim për disa njerëz. Pavarësisht nëse jeni një kërcitës i përhershëm i gishtave apo ndjeni neveri nga ideja, me siguri keni dëgjuar se kërcitja e gishtave i bën ata më të mëdhenj ose shkakton artrit në gishta. Por, a është e vërtetë kjo?
Jo! Mëndja tradicionale gabon kur bëhet fjalë për kërcitjen e gishtave. Për sa kohë që po i kërcitni në mënyrë të duhur, nuk po dëmtoni nyjet tuaja.
Biseduam me kirurgen ortopedike, Dr. Kim L. Stearns, për të mësuar se çfarë ndodh në të vërtetë kur kërciten gishtat dhe nëse kënaqësia momentale vjen me pasoja afatgjata.
Çfarë ndodh kur kërciten gishtat?
Sipas Dr. Stearns, kërcitja e gishtave çliron gaz — në formën e flluskave të azotit — nga hapësira rreth nyjeve tuaja. Zhurma krijohet kur këto flluska kompresohen.
“Studiuesit nuk janë të sigurt nëse zhurma e shkaktuar nga kërcitja e gishtave është rezultat i formimit apo çlirimit të flluskave të gazit,” shpjegon Dr. Stearns. “Por në të dy rastet, është thjesht gaz.”
Rreziqet dhe efektet afatgjata të kërcitjes së gishtave
E kemi sqaruar se kërcitja e gishtave në mënyrë të duhur nuk i zmadhon ata dhe nuk shkakton artrit. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka rreziqe.
Teknika ka rëndësi. Mos tërhiqni apo shtypni me shumë forcë dhe bëni kujdes me drejtimin. Do ta kuptoni menjëherë nëse keni bërë gabim, sepse do t’ju dhembë, dhe kërcitja e gishtave nuk duhet të dhembë.
Nëse vini re ënjtje (ose nëse gishtat tuaj duken të shtrembër), Dr. Stearns këshillon të shkoni te mjeku. Mund të keni dëmtuar një ligament ose edhe të keni nxerrur nga vendi një gisht.
Ndërsa një studim i vitit 1999 gjeti se njerëzit që kërcisin gishtat kanë forcë më të dobët në dorë dhe ënjtje më të madhe, këto rezultate nuk janë konfirmuar në dekadat pasuese.
Dhe një studim i vitit 2017 zbuloi të kundërtën: Nuk kishte asnjë ndryshim në forcën e dorës midis atyre që kërcisnin gishtat dhe atyre që nuk e bënin këtë. Ky studim gjeti një ndryshim në trashësinë e kartilagjit të kokës së metakarpit — që mund të tregojë për osteoartrit — por nuk sugjeroi se kërcitja e gishtave ishte shkaktare e kësaj.
Ndërsa kërkimet ekzistuese mbi kërcitjen e gishtave janë të pakta, provat e disponueshme na tregojnë se ka pak ose aspak efekte afatgjata për t’u shqetësuar.
Sa është shumë?
Një studim i vitit 2011 shqyrtoi atë që ata e quajtën “vitet e kërcitjes” për të parë nëse sasia e kërcitjes së gishtave me kalimin e kohës mund të ndikojë në rrezikun e osteoartritit.
Lajmi është i mirë: Duket se sasia dhe kohëzgjatja e kërcitjes së gishtave nuk shton (ose ul) rrezikun tuaj për ënjtje të nyjeve apo osteoartrit.
A është mirë apo keq për ju nëse i kërcisni giahtat?
Kërcitja e gishtave nuk është as e mirë, as e keqe për ju. Është thjesht diçka që disa njerëz bëjnë. Për disa, është një mënyrë për të lehtësuar ngurtësinë. Për të tjerë, është thjesht një zakon.