Kamionët parkohen me orë të gjata, natë e ditë para këtyre bizneseve.
Ndonëse Ministria e Infrastrukturës ka nisur projektin për “Zgjerimin e Rrugës Nacionale N25” Prishtinë–Besi–Podujevë, këtu në fshatin Teneshdoll, diçka po i shqetëson disa biznese.
Edhepse është paraparë ndërtimi i kyçjes në rrugën nacionale, dy biznese që janë skaj kësaj rruge, janë kundër mënyrës se si do të bëhet shtrimi i saj.
Sipas Osman Herticës, pronar i Agro Servisit ‘Hertica’, objektin ku ka punuar thotë ta ketë mbyllur shkaku që ishte e pamundur të punohej kur para derës së tij parkoheshin dhjetëra kamion përditë.
Kësisoj u detyrua që të zhvendosej në një objekt tjetër para tij, në mënyrë që të mos dëmtohej.
Sipas Herticës, plani thotë të ketë qenë fillimisht që të shtrohej një pjesë trotuar e një pjesë asfalt, sepse kësisoj askush nuk do të mund të parkohej para bizneseve të tyre, por nuk e di se ku gjërat morën kthesë tjetër dhe kompania filloi shtrimin e kësaj rruge me komplet asfalt.
Kundër mënyrës se si Kompania ka planifikuar shtrimin e kësaj rruge ndihmëse është edhe një biznes tjetër që merret me prodhimin e dyerve dhe dritareve.
Sipas tyre, prapa kamerës së Kiksit, thonë që në këtë pjesë do të duhej të kishte zebra dhe trotuar sepse qytetarët e rrezikojnë jetën përditë.
E parkimi i kamionave këtupari, sidomos natën, ata thonë që po iu pengojnë tejmase.
Kiks Kosova, ka siguruar disa video, në të cilat shihen lloje të ndryshme kamionësh të parkuar para të dyja këtyre bizneseve në orare të ndryshme.
Në anën tjetër, nga Ministria e Infrastrukturës, thonë që punimet janë pakësuar shkaku i motit.
Sipas kësaj ministrie, në hyrje të Fshatit Teneshdoll, janë pezulluar punimet shkaku i çështjeve pronësore.
Nga kjo ministri, thanë që nuk kanë marrë asnjë ankesë zyrtare nga bizneset përgjatë rrugës për këtë çështje.
E deri në ditën e transmetimit të kësaj storje, në këtë pjesë të rrugës, ende asgjë nuk është punuar, përveç shtrimi i zhavorrit.