A e keni ditur se truri juaj nuk ndjen dhimbje? Edhe pse është qendra që kontrollon çdo ndjesi në trup, përfshirë edhe dhimbjen, vetë truri nuk ka receptorë dhimbjeje. Kjo është një nga kuriozitetet më befasuese të trupit të njeriut dhe një fakt që ka ndikuar në mënyrën se si bëhen disa nga operacionet më delikate në mjekësi.
Ndjesia e dhimbjes transmetohet nga pjesë të ndryshme të trupit përmes nervave deri në tru ku më pas përpunohet si informacion. Por vetë indet e trurit nuk përmbajnë nociceptorë, receptorët e dhimbjes që kemi në lëkurë, muskuj apo organe të tjera.
Kjo është arsyeja pse në disa operacione të trurit si p.sh. në trajtimet për epilepsi ose tumore pacientët mund të jenë plotësisht të zgjuar dhe të ndërveprojnë me mjekët gjatë ndërhyrjes. Këto quhen “awake brain surgeries”, dhe bëhen me qëllim që kirurgët të shmangin zonat e rëndësishme për të folur, kujtesën apo lëvizjen.
Po pse kemi dhimbje koke, atëherë?
Shumëkush mendon se dhimbja e kokës vjen nga truri, por në realitet ajo shkaktohet nga enët e gjakut, muskujt, nervat dhe inde të tjera përreth trurit dhe kafkës. Migrena, për shembull, është rezultat i ndryshimeve neurovaskulare që përfshijnë këto struktura, por jo vetë trurin.
Truri është një nga organet më misterioze dhe më të fuqishme që kemi por edhe pse kontrollon gjithçka, nuk ndjen asgjë. Një fakt i çuditshëm që na bën të reflektojmë se sa kompleks dhe i përkryer është trupi i njeriut.