Ndërmarrja Publike “Termokos” ka konfirmuar për Telegrafin se ka pranuar letrën e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), të datës 21 korrik 2026, në të cilën janë ngritur disa çështje lidhur me funksionimin e rrjetit të ngrohjes dhe zbatimin e projektit “Solar4Kosovo II”.
Në përgjigjen për Telegrafin, Termokosi ka bërë të ditur se çështjet e ngritura nga KfW-ja janë trajtuar në nivel të menaxhmentit dhe Bordit të Drejtorëve, duke theksuar se komunikime të tilla janë pjesë e mekanizmave të monitorimit të projekteve të financuara nga institucionet ndërkombëtare.
KfW-ja, ndërkaq, ka konfirmuar se i ka dërguar letër Bordit të Drejtorëve të Termokosit, por ka sqaruar se bëhet fjalë për komunikim të brendshëm me ndërmarrjen, në cilësinë e Agjencisë Zbatuese të Projektit.
“Ne mund të konfirmojmë se së fundmi i kemi dërguar një letër Bordit të Drejtorëve të Termokosit. Ky është komunikim i brendshëm me Termokosin në cilësinë e tij si Agjenci Zbatuese e Projektit, për të cilin ne nuk komentojmë publikisht”, ka thënë KfW-ja për Telegrafin.
Banka gjermane ka shtuar se ngritja e çështjeve kritike me partnerët e projekteve është praktikë e zakonshme.
“Ne përgjithësisht ngrisim çështje kritike me partnerët tanë të projekteve, gjë që është e zakonshme”, thuhet në përgjigjen e KfW-së.
Termokosi: 159 nënstacione kërkojnë ndërhyrje teknike
Një nga çështjet e ngritura në raportimin mediatik lidhur me letrën e KfW-së kishte të bënte me 159 nënstacione që funksionojnë pa kontroll automatik.
Termokosi e ka konfirmuar ekzistencën e këtyre 159 nënstacioneve, por ka kundërshtuar që ato të paraqiten si kyçje ilegale apo të paautorizuara.
Sipas ndërmarrjes, bëhet fjalë për nënstacione ekzistuese, nga rreth 800 sa operojnë në sistem, për të cilat nevojiten ndërhyrje teknike me qëllim të avancimit të automatizimit dhe harmonizimit të të dhënave teknike.
“Është shumë e rëndësishme të sqarohet se këto nënstacione nuk janë kyçje ilegale apo të paautorizuara. Ato janë pjesë e rrjetit ekzistues prej vitesh; konsumatorët përkatës furnizohen rregullisht me ngrohje, kanë marrëdhënie kontraktuale me Termokosin, janë të regjistruar në bazën e konsumatorëve dhe faturimi e inkasimi i shërbimeve zhvillohen në mënyrë të rregullt”, ka deklaruar Termokosi, shkruan Telegrafi.
Ndërmarrja ka bërë të ditur se Bordi i Drejtorëve, në mbledhjen e 6 gushtit, ka kërkuar që procesi i verifikimit të përfundojë me prioritet dhe rezultatet t’i dorëzohen Konsulentit të Implementimit.
Termokosi nuk ka dhënë një numër përfundimtar të rasteve ku të dhënat në sistemin GIS duhet të plotësohen apo harmonizohen, duke thënë se kjo do të bëhet pas përfundimit të verifikimit teknik.
Termokosi pranon nevojën për ndërhyrje në degazifikim
Një tjetër çështje e ngritur në raportimin mediatik lidhur me letrën e KfW-së lidhet me impiantin e degazifikimit.
Termokosi ka thënë se sistemi është instaluar në kuadër të një kontrate të financuar me mbështetjen e KfW-së dhe se aktualisht po trajtohet nevoja për ndërhyrje teknike.
Ndërmarrja ka shmangur përshkrimin e sistemit si plotësisht jashtë funksionit, duke thënë se nevojitet një vlerësim profesional për të përcaktuar nëse kërkohet riparim, rehabilitim, optimizim apo ndërhyrje tjetër.
“Çështja që aktualisht po trajtohet nuk duhet të interpretohet thjesht si mungesë totale e funksionimit të sistemit, por si nevojë për ndërhyrje teknike me qëllim të arritjes së parametrave optimalë dhe maksimalë projektues të funksionimit”, ka thënë Termokosi.
Ndërmarrja ka konfirmuar gjithashtu se më 6 gusht Bordi i Drejtorëve ka miratuar rishikimin e buxhetit dhe ndarjen e mjeteve financiare për adresimin e kësaj çështjeje.
A rrezikohet furnizimi me ngrohje?
Sa i përket vlerësimeve të raportuara për rreziqet teknike që mund të paraqiten për asetet e Termokosit, ndërmarrja ka thënë se i merr seriozisht vlerësimet teknike, por ka bërë dallim mes rrezikut afatgjatë për asetet dhe mundësisë së ndërprerjes së menjëhershme të furnizimit.
“Rrjeti i ngrohjes ka funksionuar edhe më herët, vazhdon të funksionojë aktualisht dhe ndërmarrja po ndërmerr masat e nevojshme për ruajtjen dhe përmirësimin e funksionimit të tij”, thuhet në përgjigjen e Termokosit.
Sipas ndërmarrjes, çështja e degazifikimit lidhet kryesisht me ngritjen e performancës dhe mbrojtjen afatgjatë të rrjetit dhe nuk duhet interpretuar automatikisht si paralajmërim për kolaps të sistemit apo dështim të sezonit të ardhshëm të ngrohjes.
KfW konfirmon komunikimin, por nuk komenton përmbajtjen e letrës
Në përgjigjen për Telegrafin, KfW-ja ka konfirmuar ekzistencën e komunikimit me Termokosin dhe ka bërë të ditur se nuk komenton publikisht përmbajtjen e tij.
Banka ka theksuar se gjatë dekadës së fundit ka mbështetur projekte të rëndësishme në sektorin e ngrohjes qendrore në Prishtinë dhe aktualisht vepron si institucion ndërkombëtar kryesor financues në zbatimin e fondeve të granteve të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë gjermane për projektin “Solar4Kosovo II – Solar District Heating”.
KfW-ja ka thënë gjithashtu se në kuadër të këtij bashkëpunimi monitoron funksionimin dhe besueshmërinë operacionale të infrastrukturës.
Termokosi: Vonesat për tokën dhe lejet kërkojnë koordinim institucional
Lidhur me sigurimin e tokës dhe marrjen e lejeve për projektin “Solar4Kosovo II”, Termokosi ka thënë se këto procedura nuk varen vetëm nga ndërmarrja.
Sipas saj, projekti kërkon koordinim me Komunën e Prishtinës, institucionet qendrore dhe autoritetet përgjegjëse për pronën, kadastrën, planifikimin hapësinor, çështjet mjedisore dhe infrastrukturën.
“Sigurimi i tokës dhe marrja e lejeve nuk janë procedura që varen vetëm nga Termokosi. Ato kërkojnë koordinim të vazhdueshëm me Komunën e Prishtinës, institucionet e nivelit qendror, autoritetet përgjegjëse për pronën dhe kadastrën, planifikimin hapësinor, infrastrukturën, çështjet mjedisore dhe institucionet e tjera relevante”, ka thënë ndërmarrja.
Termokosi ka bërë të ditur se është duke punuar me institucionet përgjegjëse për përfundimin e këtyre procedurave dhe sigurimin e parakushteve për implementimin e projektit.
Ministria e Financave: Përgjegjësia për zbatimin i takon Termokosit dhe Komunës së Prishtinës
Telegrafi ka marrë përgjigje edhe nga Ministria e Financave, e cila ka theksuar se ka siguruar financimin për projektin, ndërsa përgjegjësinë për menaxhimin dhe zbatimin e tij e kanë Termokosi dhe institucionet përgjegjëse në nivel lokal.
“Referuar pyetjeve tuaja, në rast se Termokosi do të ishte ndërmarrje qendrore nën përgjegjësinë direkte të Qeverisë, do të kishim mundësi më të drejtpërdrejtë për të ndërhyrë në menaxhimin e saj dhe për të siguruar zbatimin në kohë të projekteve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
“Sidoqoftë, si ndërmarrje publike lokale, Termokosi është nën përgjegjësinë e Komunës së Prishtinës, e cila, ndër të tjera, cakton edhe Bordin e ndërmarrjes. Për këtë arsye, çështjet që lidhen me menaxhimin e ndërmarrjes, sigurimin e tokës, lejet dhe zbatimin e projekteve duhet të adresohen nga Termokosi dhe Komuna e Prishtinës”, thuhet më tej.
Ministria ka theksuar se ka siguruar financimin e nevojshëm nga KfW-ja, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Evropian.
“Ministria e Financave ka siguruar financimin e nevojshëm nga KfW, BERZH dhe BE për projektin e Termokosit, ndërsa përgjegjësia për zbatimin, menaxhimin dhe përmbushjen e detyrimeve teknike e administrative i takon Termokosit dhe organeve përgjegjëse në nivel lokal”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Telegrafin.
Ministria ka deklaruar se mbetet e angazhuar për bashkëpunimin financiar ndërkombëtar dhe ruajtjen e marrëdhënieve me KfW-në dhe partnerët e tjerë.
“Çdo shqetësim që mund të ndikojë në vazhdimin e financimit duhet të adresohet me prioritet nga institucionet përgjegjëse, me qëllim që projektet të zbatohen sipas marrëveshjeve dhe të mos rrezikohet financimi i siguruar”, ka theksuar Ministria e Financave.
Termokosi: Nuk pajtohemi që çështjet të paraqiten si dështim i projektit
Sa i përket mundësisë së ndërprerjes së mbështetjes nga KfW-ja , Termokosi ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë me një skenar të tillë.
Ndërmarrja ka deklaruar se e ka marrë seriozisht komunikimin e KfW-së dhe se ka ndërmarrë veprime konkrete për adresimin e çështjeve të ngritura.
“Termokos nuk konsideron të arsyeshme të spekulojë mbi një skenar hipotetik të ndërprerjes së financimit”, thuhet në përgjigjen për Telegrafin.
Sipas ndërmarrjes, kërkesa e KfW-së për rritjen e angazhimit institucional nuk duhet interpretuar automatikisht si vendim për tërheqje apo ndërprerje të financimit.
Termokosi ka bërë të ditur se bashkëpunimi me KfW-në vazhdon dhe se projekti “Solar4Kosovo II” ndodhet në një fazë të avancuar përgatitore, ndërsa procesi i parakualifikimit për kompanitë dhe konsorciumet ndërkombëtare është pranë përfundimit.
Sipas të dhënave publike të projektit, “Solar4Kosovo II” financohet përmes një kombinimi të financimit të KfW-së, BERZH-it, grantit të BE-së dhe kontributit të Termokosit.
Në fund, Termokosi ka theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj realizimit të projektit dhe ruajtjes së partneritetit me KfW-në dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare.
KfW-ja, nga ana tjetër, ka konfirmuar për Telegrafin vetëm ekzistencën e komunikimit me Termokosin dhe ka sqaruar se nuk komenton publikisht përmbajtjen e letrës, duke e cilësuar atë komunikim të brendshëm me Agjencinë Zbatuese të Projektit.

