Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet paralamentare në Kosovës, të cilat pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.
Haradinaj ka njoftuar se AAK-ja e ka krijuar shtabin qendror zgjedhor me shkas të një organizmi sa më adekuat.
“Në takim me Kryesinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës temë kyçe diskutimi ishin përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Aleanca tanimë veç ka filluar me organizimin sa më adekuat për zgjedhjet që na presin brenda pak muajsh. Ne veç se kemi krijuar shtabin qendror zgjedhor të cilin e udhëheq Sekretari i Përgjithshëm, Muharrem Nitaj, ndërkaq jemi në fazën e krijimit të shtabeve zgjedhore. Me kolegët e kryesisë diskutuam edhe për Programin Zgjedhor me të cilin Aleanca dhe partnerët e saj në koalicon do të garojë në zgjedhje. Grupi ekspertëve të Aleancës ka zhvilluar disa takime tematike ku kanë identifikuar disa nga prioritetet që do të përfshihen në Programin zgjedhor 2025-2029 e të cilat do të harmonizohen edhe me partnerët në koalicion”, thuhet në postimin e Haradinajt në Facebook.
Sipas ish-kryeministrit të Kosovës zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë, me qëllim të shkurtimit të gjendjes dëshpëruese në Kosovë.
“Koalicioni të cilit i prinë Aleanca është i më së përgatitur për zgjedhjet që na presin. Kosova duhet t’i kthehet kursit të saj të zhvillimit. Është urgjencë kombëtare ta ndalim degradimin e mëtejmë të shtetit, dështimet në marrëdhëniet ndërkombëtare, ato ekonomike dhe kapjen e institucioneve të vendit. Këto janë arsyet kryesore edhe pse në takimin e djeshëm e propozuam 26 janarin si datë të zgjedhjeve, në mënyrë që Kosovës t’ia shkurtojmë këtë gjendje dëshpëruese”, thuhet në njoftimin e Haradinajt.