Kreu i partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkrahur Qeverië e Kosovës për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
“Mbështesim angazhimin e institucioneve të Kosovës për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës. Reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran”, thuhet në një shkrim të Abdixhikut të publikuar në Facebook.
“Dënojmë sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe forcave të sigurisë që ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese në veri të vendit. Mbështetja për ta është domosdoshmëri”.
Ai shkruan se në këtë situatë është esencial bashkërendimi me aleatët ndërkombëtar.
“Koordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë në parandalimin e çfardo provokimi nga Serbia brenda territorit të Kosovës është esencial. Në këto momente, Kosovës i duhet stabilitet, ligjshmëri dhe siguri”, thuhet në postimin e kryetarit të LDK-së.
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë mbyllur pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve që të cojnë në këto dy pika.
Në veri ka nisur bllokimi i rrugëve me kamionë, një orë pasi u dëgjua alarmi i qytetit.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nga 1 gushti do të hyjë në fuqi vendimi për reciprocitet me Serbinë, për cështjen e njohjes së dokumenteve.
Prej të hënës, në Kosovë, shtetasit serbë që prezantojnë në kufi dokumente identifikuese të lëshuara nga Serbia, do të pajisen me një dokument “hyrje/dalje”. Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

