Telenews

Abdixhiku në Mitrovicë: Trepça aset strategjik dhe zhvillimi industrial prioritet i LDK-së

abdixhiku-ne-mitrovice:-trepca-aset-strategjik-dhe-zhvillimi-industrial-prioritet-i-ldk-se

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër ka mbajtur tubim elektoral në Mitrovicë, ku theksoi rolin e qytetit si bartës i barrës politike, ekonomike dhe të sigurisë ndër dekada. Në fjalën e tij, kandidati e cilësoi Trepçën aset strategjik kombëtar dhe kërkoi strategji shtetërore, investime serioze dhe respekt për minatorët, duke premtuar siguri në punë dhe paga dinjitoze.

“Mitrovica është qyteti që ka mbajtur barrën më të rëndë politike, ekonomike dhe të sigurisë për dekada me radhë shpesh në heshtje, por gjithmonë me dinjitet. Mitrovica është qytet i punës së rëndë dhe i sakrificës së madhe. Qytet i familjeve që kanë jetuar me përgjegjësi shtetërore më shumë se kushdo tjetër. Qytet që nuk ka kërkuar privilegje, por drejtësi. Dhe sot, më shumë se kurrë, Mitrovica ka nevojë për shtet funksional, për vizion të qartë dhe për qeverisje serioze. Gjendja ekonomike sot është e rëndë dhe godet grupe të ndryshme shoqërore në mënyra të ndryshme. Familjet po përballen me rritje të kostos së jetesës. Çmimet janë rritur, energjia është bërë barrë, ndërsa të ardhurat nuk e kanë ndjekur këtë ritëm. Në një qytet industrial si Mitrovica, ku jeta ka qenë e lidhur me punën, kjo peshë ndihet çdo ditë. Por në Mitrovicë ka një kategori që meriton trajtim të veçantë: minatorët. Minatorët e Trepçës nuk janë thjesht punëtorë. Ata janë simbol i qëndresës ekonomike dhe shtetërore të Kosovës. Ata kanë mbajtur gjallë industrinë, energjinë dhe shpresën edhe në kohët më të errëta. Ata kanë zbritur në thellësi të tokës, kur shteti shpesh ka qëndruar në sipërfaqe pa përgjigje”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai u zotua gjithashtu për realizimin e rrugës Prishtinë–Mitrovicë, duke e quajtur projekt jetik për zhvillimin ekonomik.

“Sot, minatorët përballen me pasiguri, me mungesë investimesh serioze, me paqartësi rreth së ardhmes së Trepçës. Dhe kjo është e papranueshme. Trepça nuk është barrë – Trepça është aset strategjik kombëtar. Ajo nuk mund të trajtohet me improvizim, me heshtje apo me vendime të përkohshme. Trepça ka nevojë për strategji shtetërore, për investime serioze, për modernizim dhe për respekt ndaj minatorit që e mban gjallë. LDK e ka të qartë: Trepça duhet të rikthehet në zemër të zhvillimit industrial të Kosovës, me menaxhim profesional, me transparencë dhe me mbështetje të plotë shtetërore. Minatori duhet të ketë siguri në punë, paga dinjitoze dhe perspektivë afatgjatë. Sepse pa minatorin, nuk ka Mitrovicë industriale. Dhe pa Mitrovicë industriale, nuk ka ekonomi të fortë kombëtare. Punëtorët, afaristët dhe bizneset e vogla po përballen po ashtu me pasiguri. Mitrovica ka potencial industrial, tregtar dhe logjistik, por pa infrastrukturë moderne dhe pa lidhje të forta me qendrat e tjera ekonomike, ky potencial mbetet i pashfrytëzuar. Prandaj, për ne, rruga Prishtinë–Mitrovicë nuk është projekt periferik – është projekt jetik shtetëror. Kjo rrugë do të bëhet realitet. Jo premtim elektoral, por angazhim i qartë qeverisës. Sepse lidhja e Mitrovicës me Kryeqytetin është lidhje ekonomike, sociale dhe shtetërore. Është lidhje e punës, e tregut dhe e zhvillimit. Me këtë rrugë, Mitrovica nuk do të jetë më e izoluar – do të jetë nyje zhvillimi”, theksoi ai.

Programi i LDK-së, sipas tij, përfshin mbështetje financiare për familjet, investime në arsim, shëndetësi, siguri dhe punësim të të rinjve, si dhe projekte të mëdha kapitale, përfshirë gazifikimin e Kosovës, me synim rikthimin e Mitrovicës si motor industrial i vendit.

“Të rinjtë e Mitrovicës janë rritur me ndjenjën e shtetit, por sot po përballen me mungesë perspektive. Studiojnë, diplomohen, por presin. Dhe pritja e gjatë shndërrohet në zhgënjim. Prandaj ne investojmë te rinia, sepse rinia e Mitrovicës nuk është problem – është forcë shtetërore që duhet aktivizuar. Edhe të moshuarit po jetojnë me pensione të pamjaftueshme. Njerëz që e kanë ndërtuar industrinë dhe ekonominë e këtij vendi sot po përballen me pasiguri. Pensioni nuk është lëmoshë – është dinjitet. Dhe ky dinjitet duhet mbrojtur. Në këtë moment, Kosova ka nevojë për rikthim të shtetit funksional. Dhe për këtë, Lidhja Demokratike e Kosovës është domosdoshmëri e kohës. LDK është parti e shtetit. Ka përvojë, ka kuadro, ka profesionistë. Por mbi të gjitha, ka program. Një program që e sheh Mitrovicën jo si problem, por si motor industrial të Kosovës.

Në qendër të këtij programi është familja. Sepse familja mitrovicase ka qenë gjithmonë shtylla e qëndresës. Prandaj ne investojmë 200 euro në muaj për çdo të porsalindur për 12 muaj, dhe 50 euro në muaj për çdo fëmijë nga 1 deri në 16 vjeç. Kjo është mbështetje reale për familjet që e mbajnë këtë qytet gjallë. Ne investojmë në arsim, me pagë 1 000 euro për mësuesit dhe 1 miliard euro për çerdhe dhe mësim tërëditor. Sepse industria e së nesërmes kërkon dije. Ne investojmë te të rinjtë, me punësim të garantuar gjashtë muaj me 500 euro dhe trajnim për 40 mijë të rinj në teknologji informative. Sepse Mitrovica duhet të ketë rini që ndërton këtu, jo që largohet. Ne investojmë në shëndetësi, me Qendrën e Re Klinike prej 500 milionë eurosh, sepse shëndeti është siguri kombëtare. Ne investojmë në siguri, me pagë 900 euro për policët, ushtarët dhe zjarrfikësit, sepse Mitrovica është qytet i ndjeshëm dhe kërkon institucione të forta. Ne investojmë në ekonomi dhe industri, me 5 miliardë euro investime kapitale dhe rritje ekonomike 5 për qind. Por për Mitrovicën, një projekt është kyç: gazifikimi i Kosovës”, shtoi kandidati për kryeministër./Ekonomia Online

Të ngajshme

Vuçiq: Asociacioni do ta vendoste policinë në veri në duart e serbëve

KushtrimGuraj

AGK-ja mirëpret fitoren e gazetares Blerta Foniqi pas degradimit nga menaxhmenti i RTK-së

KushtrimGuraj

Zotimi i Haradinajt: Në qeverinë e ardhshme prioritet anëtarësimi në BE e NATO

KushtrimGuraj