Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit që ka zhvilluar këtë të mërkurë me opinionistë dhe gazetarë, ka vlerësuar kontributin e tyre për “daljen nga kriza”.
Në një deklarim për media, Abdixhiku ka thënë se gjendja në vend është e rëndë dhe e zymtë, ndërsa ka shtuar se LDK-ja nuk mund të qëndrojë duar kryq, prandaj edhe kërkon mobilizim për të gjetur rrugën e drejt të Kosovës.
Sipas tij, vendi nuk mund të jetë peng i një ideologjie, por ka njerëz që i dalin zot. Kreu i LDK-së ka paralajmëruar se do të ketë takim edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
“Gjendja është e rëndë e zymtë, LDK nuk mund të qëndrojë duarkryq. Kosova nuk mund të jetë peng e një ideologjie, por ka njerëz që i dalin zot. Kemi prezantuar disa pika, në fund do ta bëjmë publike. Do të vazhdojmë takime edhe me të tjerët përfshirë edhe me presidenten”, ka deklaruar Abdixhiku.
I pyetur rreth idesë për Ballkanin e Hapur, ai ka thënë se është mirë që kjo iniciativë tashmë ka marrë fund.
“LDK ka pasur qëndrim të qartë sa i përket Ballkanit të Hapur, ka qenë projekt politik dhe duplifikim i Procesit të Berlinit”, është shprehur tutje ai.
Ndërsa sa i përket vizitës që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar se do ta bëjë në Prishtinë, i pari i LDK-së ka thënë se natyrisht që Rama dhe çdo kryeministër i Shqipërisë është i mirëseardhur në Kosovë.