Kryetari i votëbesuar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ky kuvend pune prodhoi demokracinë maksimale që një parti mund ta ketë.
Në deklarimin e tij të parë pas mbylljes së punimeve, Abdixhiku tha se më shumë se kaq një parti politike s’mund të bëjë.
Ai falënderoi delegatët e LDK-së për ushtrimin e demokracisë.
“Jam mirënjohës i mbështetjes së vazhduieshme, por edhe kundërshtimeve në këtë procees. Zotohem se do t’i afroj të gjithë”, deklaroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se partia ka miratuar dy deklarata në këtë Kuvend të Punës: njëra është mbi gjendjen politike në vend, dhe tjera për organizimin e LDK-së.
Riorganizimi i LDK-së tha se do të nis shumë shpejt në të gjitha degët dhe nëndegët e partisë.
“Mbështetja e sotme është privilegj dhe përgjegjësi, por mbi të gjitha barrë për rrugën që ka përpara LDK-ja. Kjo rrugë përpara quhet rimëkëmbje, dhe nuk bëhet me natyrën e fituesit ose humbësit, por bëhet me përafrimin e anëtarësisë. U bëj thirrje të gjithëve pa dallim, edhe ata që kanë qenë të kënaqur me mua, por në veçanti ata që s’kanë qenë, edhe ata që kanë mbajtur funksione të larta, të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë së LDK-së. Jemi pak, prandaj kemi nevojë për të gjithë, do të punojmë ta kemi secilin”.
“U bëj thirrje të gjithëve edhe një herë, edhe të dëshpëruarit, të larguarit, të dorëhequrit ose jo, të kthehen në shtëpinë e tyre politike në funksion të plotë politik, dhe besoj se do të gjejnë hapësirën e vet. Askush nuk do të jetë mbi anëtarësinë, e as kryetari”, deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

