Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur përfaqësuesit e organizatorët e Lutjeve të Mëngjesit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kosova ka nevojë sot edhe më shumë për dorën e miqësisë dhe shkroi se në secilën kthesë të vështirë, kemi pasur praninë dhe mbështetjen e miqve amerikanë.
“Zotërinjtë Van Voung, Steve Savelich dhe Ray Schmidt, të shoqëruar nga profesor Shala, i pritëm së bashku me Besianin, Armendin e Visarin. I falënderova për ndihmesën e vazhdueshme që ky organizim shumë dekadësh i ka dhënë Kosovës dhe përfaqësuesve tanë nëpër kohë. Kosova ka nevojë sot edhe më shumë për dorën e miqësisë. Rrugëtimi ynë politik nuk ka qenë i lehtë. Por në secilën kthesë të vështirë, kemi pasur praninë dhe mbështetjen e miqve tanë amerikanë – në lutje, në ndihmë, në vizion të përbashkët”, tha ai.
Kreu i LDK-së tutje u shpreh se Lutjet e Mëngjesit janë simbol i bashkimit shpirtëror dhe politik.
“Lutjet e Mëngjesit janë simbol i bashkimit shpirtëror dhe politik – vend ku dallimet tejkalohen për hir të paqes, mirëkuptimit dhe dashurisë për tjetrin. Në këtë frymë u ndërtua miqësia Kosovë–SHBA. Dhe në këtë frymë duhet ta ruajmë e ta thellojmë. LDK, si partia që e vendosi raportin tonë me Perëndimin në themel të identitetit shtetëror të Kosovës, do të vazhdojë të jetë ura e këtij bashkëpunimi të shenjtë. Do të jemi gjithnjë falënderues e gjithnjë të angazhuar për ta ruajtur këtë aleancë, si pasuri të popullit tonë”, ka shkruar tutje Abdixhiku.