Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka zbuluar emrat e kandidatëve për deputetë nga Peja.
Ai është shprehur se edhe kryetari aktual i Pejës, Gazmend Muhaxheri do të jetë pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Abdixhiku njoftoi se me të në listë, do të jenë edhe Kujtim Shala, Fatmir Asllani, Xhenet Syka, Albulena Mujaj Bajraktari, Sadri Berisha, Rexhep Kurtbogaj dhe Besa Gaxherri.
“Po qëndrojmë mes njerëzve tanë, këtu në Kosovë, në çdo qytet e çdo anë, për të shtruar dorën e bashkimit e thirrjen e ndryshimit! Po qëndrojmë mes atyre që janë lodhur duke i pritur mundësitë e premtimet që nuk ju vijnë; mes atyre që janë shterur nga shpresa e udhëheqësve që flasin por s’japin asnjë rezultat. Njerëzit e Kosovës janë lodhur nga ndenja e braktisjes.
Kësaj lodhjeje të tyre, ne i përgjigjemi me një thirrje. Thirrje për ndryshim! Thirrje për ndryshim të madh politik në vend! Thirrje për Rrugën e Re! Bëhu Ndryshimi! – është slogani ynë. Bëhu Ndryshimi! – është thirrja jonë! Bëhu Ndryshimi! – është ftesa jonë! Bëhu Ndryshimi – është ftesë, është thirrje, është kushtrim, për secilin në Kosovë!”
“Është thirrja jonë për prindërit e rinj, për mësuesit, punëtorët, mjekët, ndërmarrësit, bujqit, pensionistët e studentët. Për secilin nga ju që ndihet sot i lodhur nga pritja, i lodhur nga premtimi se ndryshimi do të ndodhë një ditë, që është lodhur nga zymtësia, nga ndarja e propaganda! BËHUNI NDRYSHIMI! Për ndryshimin e madh, do t’i mbledhim dhe më të mirët tanë”, ka shkruar Abdixhiku.