Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar për një tjetër sulm ndaj gazetarëve gjatë raportimit të tyre nga vendi i ngjarjes në Leposaviq.
Pas sulmit brutal që ndodhi ndaj gazetarit të RTK-së, AGK njofton se në veri është sulmuar edhe gazetari i mediumit TV1, Albin Rrahmani, i cili ka pësuar lëndime, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Gazetari në fjalë ka marrë lëndime në këmbë, ndërsa pjesa e tjetër e stafit nuk janë sulmuar.
AGK e ka dënuar këtë sulm ndaj Rrahmanit, ndërsa thanë se trupat e KFOR-it s’kanë reaguar ndonëse kanë qenë të pranishëm.
“Sulmi brutal i sotëm ndaj gazetarëve dhe kameramanëve në Leposaviq është krejtësisht i papranueshëm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, dhe i ftojmë organet kompetente të Republikës së Kosovës që të trajtojnë rastin me prioritet në mënyrë që sulmuesit e kolegëve tanë të arrestohen sa më parë. Njëherësh, duke qenë që i gjithë sulmi ka ndodhur në prani të trupave të KFOR’it, dhe të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin, kërkojmë nga NATO Kosovo Force – KFOR që të mos i pengojnë gazetarët në raportim, meqë siguri nuk po ju ofrojnë”, thuhet në reagim.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se do t’i njoftojë të gjithë akterët relevantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me rastin. /Reporteri.net/.