Telenews

AGK: Rënie alarmuese e Kosovës në raportin e Reporterëve pa Kufij

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i alarmuar me një rënie të re të Kosovës në renditjen e Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.

AGK bën të ditur se nga vendi i 75 ku kishte zbritur vitin e kaluar, kjo organizatë për vitin 2025 e renditë Kosovën në vendin e 99, nga gjithsej 180 shtete, për të cilat e bën matjen.

“Raporti vë në pah se gazetarët në Kosovë janë shënjestër e vazhdueshme e sulmeve politike dhe quhen pa të drejtë ‘bashkëpunëtorë të armikut’. Gjithashtu, kritikohet miratimi i Ligjit për KPM-në që e politizonte këtë organ të pavarur”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

“Edhe pse media ka qenë e suksesshme për të mbajtur politikanët përgjegjës, gazetarët kanë vazhduar të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori medial joefektiv, Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM), ishte subjekt i një reforme ligjore kundërthënesë, që rrezikon edhe më shumë ta pengojë pavarësinë e këtij organi. Para zgjedhjeve 2025, disa media prívate u targetuan për t’u bojkotuar nga qeveria, e cila gjithashtu e kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK.  Edhe pse gazetarët gëzojnë besimin e shoqërisë, mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë target shumë shpesh i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në mediat sociale. Ata akuzohen pa të drejtë si ‘bashkëpunëtorë të armikut’, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe religjioze”, thotë raporti në pjesën kryesore, njofton AGK.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bën po ashtu të ditur se në raport përmenden edhe shtimi i padive SLAPP kundër gazetarëve, vështirësitë për qasje në dokumente publike, vëzhgimi i gazetarëve dhe kërcënimet për sigurinë e tyre fizike.

“AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulëta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave, në dy vitet e fundit nga Qeveria e udhëhequr nga partia politike, Vetëvendosje.

AGK-ja i fton të gjithë akterët institucionalë e të shoqërisë civile për punë të përbashkët, duke përfshirë hartimin e një ligji të ri të KPM-së, në mënyrë që vendi të përmirësojë renditjen katastrofale në indeksin e lirisë së mediave”, thuhet ndër të tjera në reagimin e AGK-së.

Të ngajshme

Haradinaj e Limaj shpenzuan 337 mijë euro në fushatë

KushtrimGuraj

Paga e prillit: Kurti dhe të tjerët u paguan si ‘qeveritarë në detyrë’, jo si deputetë

KushtrimGuraj

Gruaja e Muhamet Likës rrëfehet për herë të parë – nga momenti i vrasjes, te zërat për tradhti

Donat Hashani