Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë në gjetjen e një kure për kancerin që njerëzit nuk do të mund ta zbulonin gjatë jetës së tyre, deklaroi Rene Haas, drejtori ekzekutiv i kompanisë britanike të çipave Arm Holdings.
Në një intervistë për BBC-in, Haas tha se për momentin modelimi i një qelize njerëzore dhe mënyra se si një shënues i ADN-së ndikohet nga kanceri është një problem tepër kompleks.
Megjithatë, sipas tij, përparimi i kompjuterëve dhe modeleve të Inteligjencës Artificiale mund ta bëjë të mundur zgjidhjen e këtij problemi në të ardhmen.
“AI-ja do të ndihmojë në kurimin e kancerit gjatë jetës sonë”, tha Haas, duke argumentuar se modelet do të bëhen gjithnjë e më të fuqishme ndërsa trajnohen me më shumë të dhëna. Ekspertët e fushës theksojnë se potenciali i AI-së në mjekësi lidhet veçanërisht me cilësinë e të dhënave që përdoren për trajnimin e saj. Profesori Chris Bakal, nga Instituti për Kërkimet ndaj Kancerit në Londër, tha se pyetja kryesore nuk është më nëse duhet përdorur AI-ja, por çfarë të dhënash i ofrohen.
Sipas tij, Inteligjenca Artificiale mund të shkurtojë me vite procesin e zhvillimit të trajtimeve të reja, duke analizuar të dhëna të marra drejtpërdrejt nga mostrat e pacientëve. Haas paralajmëroi gjithashtu se mungesa e çipave po pengon përhapjen e mëtejshme të Inteligjencës Artificiale. Sipas tij, industria ndodhet në një situatë ku kërkesa për çipa është më e madhe se oferta, ndërsa ndërtimi i qendrave të reja të të dhënave kërkon kapacitete të mëdha prodhuese.
Drejtuesi i Arm parashikoi gjithashtu se robotët humanoidë të pajisur me AI-në do të përhapen gjerësisht gjatë pesë viteve të ardhshme dhe do të përdoren në sektorë si prodhimi, pastrimi, siguria dhe ndërtimi. Ai u shpreh më skeptik për mundësinë që Britania e Madhe të ndërtojë një industri të madhe vendase të prodhimit të çipave. Sipas Haas, fabrikat e prodhimit të çipave kërkojnë investime shumë të mëdha, punonjës të specializuar dhe burime të konsiderueshme. Arm projekton procesorët që përdoren në qindra miliarda pajisje në mbarë botën, përfshirë telefona, automjete, orë inteligjente dhe pajisje të tjera elektronike.

