Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në aksin rrugor nacional Pushimi i Shoferit – Divjakë, në Shqipëri. Sipas informacioneve paraprake nga Policia e Shqipërisë, një automjet tip Benz, i drejtuar nga shtetasi i ri 18-vjeçar me inicialet K.XH, ka përplasur një kalimtar teksa ky i fundit po tentonte të kalonte rrugën pranë banesës së tij, shkuran Gazeta Sinjali.
Viktima e këtij aksidenti tragjik është identifikuar si Ruhi Kurteshi, 92 vjeç, banues në fshatin Këmishtaj. Ai ka humbur jetën në vend si pasojë e goditjes së fortë nga automjeti. Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur menjëherë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave që çuan në këtë tragjedi.
Drejtuesi i automjetit, K.XH, është ndaluar nga autoritetet dhe po merret në pyetje në mënyrë intensive. Hetuesit po mbledhin dëshmi dhe po kryejnë kontrolle për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor apo shpejtësi të lartë që mund të kenë shkaktuar aksidentin.