Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet R.K. dhe një personi juridik, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.
Sipas aktakuzës, R.K., në cilësinë e pronarit dhe përfaqësuesit të autorizuar të një operatori ekonomik, dyshohet se gjatë pjesëmarrjes në një procedurë të prokurimit publik, të zhvilluar nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë për furnizim me libra të protokollit, ka paraqitur dhe përdorur dokumentacion të rremë dhe të paautorizuar.
Prokuroria pretendon se në kuadër të dokumentacionit të dorëzuar janë përfshirë një CV, kontratë pune dhe certifikatë universitare në emër të një personi tjetër, pa dijeninë dhe lejen e tij.
Sipas aktakuzës, këto dokumente dyshohet se janë përdorur me qëllim të ndikimit në vendimmarrjen e autoritetit kontraktues dhe përfitimit të kontratës.
Gjithashtu, R.K. dyshohet se ka përpiluar një dokument të falsifikuar, konkretisht një kontratë pune, me qëllim që ajo të përdorej si dokument origjinal në procedurën e prokurimit publik.
Në këtë rast është përfshirë edhe personi juridik, i cili dyshohet se ka paraqitur dhe përdorur dokumentacion të rremë dhe të paautorizuar gjatë pjesëmarrjes në procedurën e prokurimit, me synim ndikimin në vendimin e autoritetit kontraktues dhe përfitimin e kontratës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se R.K. ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumentit”, ndërsa personi juridik dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Prokurorja e çështjes i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohen.
Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

