Shtëpia e Brad Pitt në Los Feliz është plaçkitur.
Page Six ka konfirmuar të enjten se është në zhvillim një hetim policor pasi rezidenca prej 5.5 milionë dollarësh e yllit të filmit “F1” në lagjen ekskluzive të Los Angeles-it u bë objekt i një grabitjeje.
Një zëdhënës i LAPD-së (Policia e Los Angeles) tha për mediat se një shtëpi në lagjen Los Feliz është “bastisur” rreth orës 22:30 të mbrëmjes së të mërkurës, megjithëse ata nuk konfirmuan pronarin apo banorët e objektit në fjalë.
Sipas policisë, tre persona dyshohet se kanë kaluar gardhin rrethues dhe kanë hyrë nga një dritare e përparme, përpara se të arratiseshin me sende të panjohura në sasi të pacaktuar.
Ylli i filmit “Wolfs” nuk ndodhej në shtëpi në momentin e ngjarjes.
Pitt, 61 vjeç, ndodhet aktualisht në turin promovues të filmit “F1” dhe ka parakaluar në tapetin e kuq në premierat në Londër, Meksikë dhe New York gjatë javëve të fundit.
Fituesi i çmimit Oscar e kishte blerë pronën në prill të vitit 2023 nga trashëgimtarja e pasurisë së naftës, Aileen Getty, sipas Daily Mail. Në një shkëmbim të bujshëm mes të famshmëve, Getty më pas bleu shtëpinë e mëparshme të Pitt në të njëjtën lagje për plot 33 milionë dollarë.