Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se partitë shqiptare në Serbi janë bashkuar për herë të parë për të garuar së bashku në zgjedhje, duke thënë se në këtë proces ka ndikuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si edhe faktorë të jashtëm.
Vuçiq, në deklarimin e tij, ka përmendur Shaip Kamberin, të cilin e ka cilësuar me gjuhë fyese, duke thënë se ai është vendosur në krye të listës së përbashkët, ndërsa përfaqësuesit e dy partive të tjera janë renditur në pozitat e dyta dhe të treta.
Sipas Vuçiqit, bashkimi i partive shqiptare synon ta çojë çështjen e Luginës së Preshevës në një nivel më të lartë të vëmendjes ndërkombëtare.
Ai ka pretenduar se në këtë proces rol kanë edhe përfaqësues amerikanë dhe evropianë, duke përmendur kongresistin amerikan Joe Wilson. Vuçiq ka pretenduar gjithashtu se Wilson financohet nga persona të lidhur me shqiptarët, por nuk ka paraqitur prova për këto akuza në deklarimin e tij.
“Mund ta shihni tani në zgjedhje atë që askush prej jush nuk e ka vënë re. Për herë të parë, partitë shqiptare janë bashkuar, sepse nuk i ka bashkuar vetëm Kurti, por edhe faktorë të tjerë nga jashtë. Për herë të parë, ata po garojnë të gjithë së bashku. Më të keqin dhe më të ligun mes tyre, Shaip Kamberin, e kanë vendosur në krye të listës, ndërsa dy të tjerët në pozitat e dytë dhe të tretë. Pra, të tria partitë janë bashkuar. Ata kanë ngritur çështjen e të ashtuquajturës Luginë e Preshevës. Dhe mendojnë ta çojnë këtë çështje në një nivel më të lartë përmes këtij mercenari të tyre, Joe Wilson, të cilin e paguan Bajraktari. Bajraktari është mbështetës i Kurtit dhe e paguan atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai ka thënë se përmes kontakteve me përfaqësues ndërkombëtarë, partitë shqiptare do të përpiqen ta ndërkombëtarizojnë çështjen e Luginës së Preshevës dhe të kërkojnë më shumë vëmendje për të.
Në deklarimin e tij, Vuçiq ka përmendur edhe bashkëpunimin me kryetarin e Komunës së Bujanocit, duke thënë se, pavarësisht investimeve në infrastrukturë dhe përpjekjeve për bashkëpunim, këto veprime nuk janë të mjaftueshme për ta penguar ndikimin e faktorëve të jashtëm.
“Dhe më kot ne bëjmë gjithë ato që bëjmë. Ndërtojmë rrugë, bashkëpunojmë edhe me kryetarin e tyre të Komunës së Bujanocit dhe me të gjithë të tjerët. Unë përpiqem të bëj gjithçka që mundem, por e shihni se kurrë nuk është mjaftueshëm. E shihni se ekziston një faktor i jashtëm që do të vazhdojë ta shtyjë këtë çështje përpara. Vetëm mos mendoni se jam budalla”, ka thënë Vuçiq.

