Mungesa e shenjave në komunikacion është shqetësim që duhet marrë më seriozisht.
Kështu e sheh situatën eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj.
Sipas tij, në Kosovë mungojnë në shumicën e rasteve shenjat të cilat tregojnë për përfundimin e një shpejtësie.
Dedaj paralajmëron që çdo rast në të cilin qytetarët mendojnë që janë gjobitur padrejtësisht e faji ka qenë te shenjat e komunikacionit, ata të mos heqin dorë por të ankohen edhe në instanca më të larta. Madje ai thotë që qytetarët me këso probleme, mund të kërkojnë ndihmë edhe nga vet ai.
Sipas profesorit universitar, ndërmjet secilës shenjë duhet të ketë mjaftueshëm distancë në atë mënyrë që vozitësit të kenë kohë që të përgatiten.
E mungesa e shenjave, në rrugë nacionale, sipas Dedajt arrin deri në 40 për qind, e kjo konsiderohet rrezikshmëri e nivelit të lartë.
Tutje, njohësi i komunikacionit, tha për Kiks Kosovën që gjendja edhe më e rëndë është në komuna, saktësisht në rrugët lokale. Kjo ngase sinjalizimi nëpër këto pjesë mungon deri në 95 për qind, shto këtu faktin që as auditimi i tyre nuk bëhet kurrë.
E për të eliminuar gjobitjet nga policia padrejtësisht, hutimin e qytetarëve e gjithçka tjetër, Dedaj thotë që duhet bërë auditimi i sigurisë rrugore, sidomos nëpër qytete.
Tjetër shqetësim në vendin tonë, janë edhe vendosja e shenjave të trafikut shumë afër rrugës.
Sipas Dedajt, duhet të jetë një hapësirë e caktuar ndërmjet rrugës dhe shenjës dhe që duhet zbatuar me përpikmëri.
Eksperti ndan për Kiks Kosovën një histori personale se si rastisi të ndalej një herë nga policia, në një zonë ku shenja ishte vendosur nga një biznes privat në një pjesë ku nuk kishte nevojë për shenjë.
Situatat e tilla, Dedaj thotë që iu shkaktojnë dëm të gjithë vozitësve.