Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, deklaroi se qeveria që drejton është e gatshme të shqyrtojë çdo propozim për të dërguar trupa në Ukrainë, nëse një mision i tillë do të konsiderohej i nevojshëm nga bashkësia ndërkombëtare.
Ai theksoi se angazhimi i Australisë në çështjen ukrainase është i fortë dhe se vendi i tij mbështet përpjekjet globale për të siguruar stabilitetin dhe respektimin e sovranitetit të Ukrainës.
Kjo nismë do të ishte pjesë e një force shumëkombëshe paqeruajtëse, ndërsa Evropa po shqyrton mundësinë e krijimit të një “koalicioni të vullnetarëve” për të zbatuar çdo marrëveshje paqeje që mund të arrihet në të ardhmen.
“Ne qëndrojmë përkrah presidentit Zelensky dhe luftës së guximshme të popullit të Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin e tyre natyror,” tha Albanese.
Ai ritheksoi mbështetjen australiane për rezistencën ukrainase kundër agresionit dhe rëndësinë e një angazhimi të përbashkët ndërkombëtar për të garantuar sigurinë dhe paqen në rajon.
Ndryshe, SHBA-ja ka ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën, e cila po përballet me Rusinë që nga viti 2022./Telenews.al/