Telenews

Albulena Haxhiu sot jep dëshmi për rastin Dehari

 

 

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se sot ministrja Albulena Haxhiu, do të japë dëshmi për rastin Dehari. “Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në orën 10:00, do t’i përgjigjet ftesës për të dhënë dëshminë në raport me rastin Dehari”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit pas intervistës, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrja Haxhiu do të mbajë Konferencë për medie.

Më 5 nëntor të vitit 2016, në orët e para të mbrëmjes u raportua për një vdekje të një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Vetëm pak minuta më pas u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, i cili aty po qëndronte nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës.

Deklarata e parë nga Policia e Kosovës në atë kohë ishte se Dehari kishte vdekur si pasojë e medikamenteve. Këtë deklaratë e kishte thënë ish-drejotri i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili për një kohë të gjatë kishte mohuar se kishte dhënë këtë deklaratë.

Vdekja e Astrit Deharit, menjëherë u cilësua si e dyshimtë, ndërsa u kërkua që ndaj tij të bëhej edhe autopsia nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, i cili tash është në pension, pesë vite më parë kishte thënë se Astrit Dehari kishte pasur shenja në qafë.

“E kam pa trupin e viktimës, ka gërvishtje në qafë e në duar (por jo gjak). Kemi informata se ka përdorë medikamente, mirëpo asgjë në shumë nuk mund të themi për momentin. Jemi në pritje të ekipeve të mjekësisë ligjore për detaje më të sigurta”, kishte thënë Hoxha në atë kohë.

Në ditën kritike, menjëherë u njoftua edhe se Ministria e Drejtësisë në atë kohë e udhëhequr nga ish-ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, se kishin filluar hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

Një ditë ma pas, Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur një konferencë, në të cilën Visar Ymeri kishte thënë se Dehari po mbahej në paraburgim për një rast të montuar sipas tij.

Astrit Dehari kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.

LVV në atë kohë tha se vdekja e Astrit Deharit ishte përgjegjësi institucionale. Dyshime rreth vdekjes së Astrit Deharit pati edhe familja e tij.

Më datë 7 nëntor të vitit 2016, u krye edhe autopsia e trupit të Astrit Deharit ndërsa, Sylë Hoxha atë kohë kishte dalë me deklaratë se ish-aktivisti i LVV-së kishte vdekur si pasojë e asfiksisë apo problemeve me frymarrjen.

Dilemat për vdekjen e Astrit Deharit çdo ditë shtoheshin. Nga vdekja prej medikamenteve, raporti fillestar i autopsisë e kryer në IML tregoi për probleme me frymëmarrje.

Pas këtyre deklaratave zyrtare të krerëve të Prokurorisë e Policisë, LVV doli sërish në konferencë. Ata kërkuan që të grupi hetues në atë kohë të ndërrohej për shkak të deklaratave të gabuara që u dhanë në fillim kur u raportua për vdekjen e Astrit Deharit.

Më datë 10 nëntor të vitit 2016, KALLXO.com kishte publikuar të gjitha vizitat që iu bën Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej nën dyshimet për sulmin ndaj Kuvendit, i cili ndodhi në gushtin e po të njëjtit vit.

Në të gjitha vizitat për të cilat i kishte siguruar dokumentet KALLXO.com, ishin prindërit dhe gruaja e tij, e në gjashtë prej tyre familjarët ishin shoqëruar edhe nga zyrtarë të LVV-së.

Vizita të gjitha që kishte mbajtur për shtatë javë, çdo të enjte, kishin zgjatur 60 minuta.

Gjendja shëndetësore e Astrit Deharit kishte qenë e mirë, kështu kishte deklaruar në atë kohë në një emision në “Jeta në Kosovë”, Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Burim Buleshkaj.

Një gjendje jo e qetë e krijuar pas vdekjes së Astrit Deharit dhe ngritja e shumë pikëpyetjeve u shtua kur mbrëmjen e 10 nëntorit 2016, në televizionin Klan Kosova u shfaqën xhirimet nga kamerat e sigurisë të ditës kritike të 5 nëntorit, ditën e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Hetimi po konsiderohej jo-profesional sipas Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në po atë kohë, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi kishte ushtruar kallëzim penal për disa persona të cilët ishin përgjegjës për pamjet e kamerave të sigurisë.

Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha nuk kishte qenë në dijeni se si kishin rrjedhur pamjet nga hapësirat e burgut të ditës kritike.

“Unë ndihem i shqetësuar nuk e di se si kanë dalë ato publikime. Sigurisht që këto ne ende nuk i kemi në dorë, prokurorët e prokurorisë janë në kontakt me policinë me hetuesit, si do që të jetë sigurisht që do të merremi edhe me çështjen se si u publikuan këto pamje. Nuk e dimë se kush i ka dhënë këto publikime”, kishte thënë Hoxha

Pamjet e publikuara cenuan familjen Dehari, kështu kishte cilësuar Avokati i Popullit në atë kohë, Hilmi Jashari.

Të ngajshme

Getinjo dhe Mozziku sot nisin ditën në këtë vend të shenjët

Erzana Fazliu

Rrustemi: Të gjitha i kemi bërë bashkë me presidenten, e çmoj kontributin e saj

Erzana Fazliu

Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës për inkuadrim në Ligën B të Kombeve

Erzana Fazliu