Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë, në të cilën janë marrë vendime të rëndësishme për rrugëtimin e mëtutjeshëm politik të subjektit tonë.
Në fillim të mbledhjes, anëtarët e Këshillit nderuan me një minutë heshtje kujtimin për kolegun tonë, Rifat Stojkaj, i cili ndërroi jetë sot.
Në këtë takim, Këshilli i Përgjithshëm ka aprovuar me shumicë votash Ardian Gjinin, bartës së listës si dhe listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo listë reflekton unitetin e Aleancës, duke gërshetuar përvojën politike me prurjet e reja profesionale, me synimin e vetëm: shërbimin ndaj qytetarëve dhe forcimin e shtetit të Kosovës.
Pikë tjetër e rëndësishme ishte aprovimi i ndryshimeve statutare, të cilat do ta bëjnë Aleancën një organizatë edhe më dinamike, transparente dhe të hapur për proceset demokratike brenda saj. Këto ndryshime i paraprijnë Kuvendit Zgjedhor të Aleancës që do të mbahet më 24 maj, për të cilin u konfirmua se përgatitjet finale kanë përfunduar me sukses.
Gjatë mbledhjes, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj dhe anëtarët e Këshillit diskutuan edhe për mobilizimin e degëve në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Aleanca hyn në këtë proces zgjedhor me një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik, sigurinë kombëtare dhe integrimet euro-atlantike.
AAK është gati për garën zgjedhore dhe mbetet e përkushtuar që përmes listës së saj fituese, t’u ofrojë qytetarëve alternativën më të qëndrueshme për qeverisjen e vendit.

