Arritja e çfarëdo marrëveshjeje jo gjithëpërfshirëse në sferën ushtarake nuk kontribuon në formimin e një sistemi sigurie vërtetë të besueshëm dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Kështu u shpreh ambasadori rus në Shqipëri, Aleksey Zaitsev, për median ruse “Izvestia”, e cila konsiderohet media nacionale në Rusi.
“Ndërtimi i vazhdueshëm i infrastrukturës së NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëri, duke përfshirë hapjen në mars 2024 në Kuçovë të Shqipërisë të bazës së parë ajrore taktike të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, modernizimin e planifikuar të portit të Durrësit, duke përfshirë për nevojat e Forcave të Përbashkëta Detare të NATO-s, pjesëmarrjen e Tiranës zyrtare në projektin e transportit pan-evropian ‘Korridori-8’ nga Adriatiku në Detin e Zi, i cili mund të përdoret edhe për qëllime ushtarake, vetëm sa përkeqëson situatën tashmë të vështirë në Evropë, shkakton shqetësim serioz midis shteteve individuale në rajon”, shpjegoi Zaitsev.
Siç shkruan media ruse, dokumenti parashikon ndërveprimin e palëve në fushën ushtarake, trajnime të përbashkëta, stërvitje të përbashkëta, përballje me kërcënimet e jashtme, si dhe shkëmbimin e informacionit të inteligjencës dhe “koordinimin e politikave dhe pozicioneve të pjesëmarrësve me strukturat shumëpalëshe euroatlantike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”.
Rusia, ashtu si Serbia, si vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e kundërshtojnë pjesëmarrjen e kësaj të fundit në këtë marrëveshje.
Sipas Zaitsevit, “pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë nismë është një vazhdim logjik i politikës së qeverisë së saj për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike dhe sinkronizimin e hapave të sigurisë me kursin e BE-së në procesin e integrimit evropian”.