Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka publikuar pamje dhe foto të shtatë bombarduesve strategjikë B-2A “Spirit”, të cilët u ngritën nga baza ajrore Whiteman në Misuri natën e 20 qershorit, si pjesë e një sulmi ndaj objekteve bërthamore iraniane në operacionin Midnight Hammer.
Çdo aeroplan ishte i armatosur me dy bomba GBU-57A/B MOP (Massive Ordnance Penetrator) prej 13,600 kilogramësh, të ashtuquajturat “Bunker Buster”, të projektuara për të shkatërruar objektiva të identifikuara nëntokësore.
Dokumentacioni shtesë konfirmon se bombarduesit u kthyen në bazën ajrore Whiteman më 22 qershor, pas më shumë se 36 orësh fluturimi gjatë të cilave ata kryen sulme mbi territorin iranian.
Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të 22 qershorit, Shtetet e Bashkuara kryen një sulm të madh ajror në tre objekte kryesore bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Isfahan.
Sulmi u krye në koordinim me Izraelin dhe u përdorën bombardues B-2 Spirit, të pajisur me bomba të rënda GBU-57/B “Massive Ordnance Penetrator” të afta të depërtojnë në shtresa të trasha betoni dhe toke, duke synuar konkretisht kompleksin e thellë Fordow.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se të gjitha objektivat u goditën me sukses dhe se sulmi kishte për qëllim parandalimin e Iranit nga zhvillimi i mëtejshëm i armëve bërthamore, si dhe detyrimin e Teheranit të kthehej në tryezën e negociatave pasi përpjekjet diplomatike dështuan.
Pentagoni konfirmoi se u lëshuan gjithsej 75 raketa, duke përfshirë më shumë se dhjetëra raketa Tomahawk në tre lokacione.