Të vogla janë gjasat që pushteti në Serbi, në krye me Aleksandar Vuçiqin, të vendosë që përmes referendumit të konfirmojë nënshkrimin e propozimit franko-gjerman për Kosovën, thonë analistët serbë.
Presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi se Serbia e ka pranuar konceptin e marrëveshjes, bazuar në propozimin franko-gjerman, pa hyrë në detaje se çfarë përfshin.
Ai tregoi se cilat do të ishin pasojat nëse ne nuk e pranojmë atë propozim, pas të cilit ndërkohë ka qëndruar edhe Bashkimi Evropian.
“E di se çfarë do të vendos, por jo në emër të Serbisë. Në emër të Serbisë do të vendosin, kuptohet – përndryshe do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë – organet e tjera kompetente shtetërore (parlamenti) dhe mundësisht edhe qytetarët”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq në fjalimin e tij drejtuar kombit lidhur me presionin e BE-së dhe SHBA-së që Serbia të pranojë planin gjermano-francez për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Kur foli për deklarimin e mundshëm të qytetarëve, mund të konstatohet se Vuçiq e kishte fjalën për shpalljen e referendumit, por pak kush beson se ai do ta bëjë këtë realisht.
Sipas mendimit të disa njohësve të së drejtës kushtetuese, nëse nuk bëhet fjalë për njohjen formale të Kosovës së pavarur dhe nënshkrimin e një akti politik, siç ishte rasti me Marrëveshjen e Brukselit, qeveria nuk është e detyruar të shpallë referendum.
Slobodan Orloviq, profesor i së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik në Novi Sad, thotë se çdo ndryshim i territorit sipas Kushtetutës nënkupton deklarimin e popullit në referendum.
“Nëse kjo do të thotë ndryshim i kufijve, sigurisht që populli do të duhet të deklarohet për këtë, sepse është një nga pikat të veprimeve kushtetutese”, tha Orloviq për “Nova”.
Ai thotë se “nëse nuk e kemi parë propozimin zyrtar, e sigurt është se propozimi franko-gjerman nuk përmend njohjen formale. Nënshkrimi i asaj marrëveshje do t’i mundësonte Kosovës anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare, nga Këshilli i Evropës e deri te Bashkimi Evropian dhe NATO”.
I pyetur se a do të detyrohej qeveria të shpallë referendum në atë rast, bashkëbiseduesi Orloviq thekson se nuk do ta bënte.
“Serbia nuk ka asnjë mekanizëm në dy nga ato tre organizata – BE dhe NATO, sepse nuk është anëtare dhe nuk mund të ndikojë në anëtarë. Sa i përket Këshillit të Evropës, ai është vetëm anëtar, por nuk ka të drejtë vetoje. Ne mund të kundërshtojmë vetëm hyrjen në OKB, por jo si anëtare e OKB-së, por si dikush që përfundimisht do të mbështetej nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit, anëtarët e përhershëm Rusia dhe Kina”, thotë Orloviq.
Referendumi është i dëshirueshëm në rastin e anëtarësimit të Kosovës në OKB
I pyetur nëse përmendja e anëtarësimit të Kosovës në OKB do të kërkonte shpalljen e referendumit, ai deklaron – jo në mënyrë eksplicite.
“Unë besoj se në atë rast qeveria do të dëshironte të ndajë përgjegjësinë me popullin dhe do të thërriste një referendum. Shprehimisht sipas dispozitave kushtetuese – jo”, shton Orloviq.
Nëse vjen deri te nënshkrimi i një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila ende nuk është në rend dite dhe që përfundimisht do të përfshinte njohje.
“Të gjitha shtetet e sapokrijuara që u shkëputën nga vendet e tyre amë – Mali i Zi si i fundit, pastaj Timori Lindor ose Sudani i Jugut – të gjitha kishin njohje nga vendi i tyre amë. Në të drejtën ndërkombëtare, pa njohjen e shtetit amë, në këtë rast Serbisë në raport me Kosovën, nuk ka legjitimitet juridik ndërkombëtar të plotë të shtetit të ri”, thotë Orloviq.
Bojan Klaçar, drejtor ekzekutiv i CESID, deklaron se Vuçiq nuk ia ka mbyllur derën thirrjes së referendumit, por sipas asaj që tani kemi mundësi të shohim nga deklaratat e tij dhe nga vetë dokumenti, ai opsion nuk është ndër prioritetet.
“Atëherë sigurisht që do të ketë zgjedhje dhe do të shohim se çfarë. Do të jetë gjithashtu një mundësi për të gjitha partitë politike dhe programet e tyre, që njerëzit të mbajnë qëndrim për vetë Kosovën”, përfundon Klaçar.

