Prej disa kohësh, këngëtarja Anisa Veseli dhe ish-banori i Big Brother VIP Kosova 3, Eduart Kuqi, kanë qenë në qendër të vëmendjes së publikut për shkak të aludimeve se mes tyre mund të ketë lindur diçka më shumë se miqësi.
Spekulimet për një lidhje të mundshme nisën pasi të dy kanë publikuar në rrjetet sociale foto dhe video nga vende të njëjta, ndonëse asnjëherë nuk janë shfaqur bashkë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Këto përputhje nuk i kanë shpëtuar syrit të ndjekësve, të cilët prej kohësh janë në kërkim të një konfirmimi ose të paktën të një sinjali më të qartë nga dyshja.

E së fundmi, Anisa duket se ka vendosur të ‘luajë’ me kureshtjen e fansave. Në një rubrikë pyetje-përgjigje në Instagram, ku u dha mundësia ndjekësve të saj të pyesin për çfarë të dëshirojnë, ajo mori një pyetje që nuk mund të kalonte pa u vënë re: “Sa e do Edin?”.
Edhe pse mund të kishte zgjedhur të injoronte pyetjen ose të jepte një përgjigje të zakonshme, Veseli vendosi të reagojë në mënyrë disi të koduar, duke postuar një ‘GIF’ që linte shumë për të kuptuar.
Edhe pse nuk dha një deklaratë të drejtpërdrejtë, zgjedhja e saj nuk ka kaluar pa u komentuar.
Ndjekësit janë të bindur se ajo la qëllimisht të kuptohet diçka më shumë ose të paktën nuk u përpoq ta mohojë.
Deri tani, as Anisa dhe as Eduarti nuk kanë konfirmuar apo mohuar ndonjë lidhje mes tyre, duke preferuar të mbajnë një profil disi të rezervuar sa i përket jetës personale.