Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi sot për shkak se nuk u votua raporti i Komisionit për Verifikimin e Mandateve, që ishte pika e parë e rendit të ditës.
E nëse sot do të votohej Qeveria, sipas analistit Avni Arifi, ajo do të ishte kundërkushtetuese.
I ftuar në emisionin Kiks Kosova, Arifi tha se sipas nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, Kurti me ministra do të duhej të jepnin dorëheqjen para certifikimit të zgjedhjeve.
“Kemi të bëjmë me shkelje të pastër ligjore nga Lëvizja Vetëvendosje. Po i shkel ligjet që ia ka bërë vetë”, tha ai.
Sipas tij, me mosvotimin e raportit të Komisionit për Verifikim të Mandateve, opozita parandaloi shkeljen e ligjit.