Telenews

Arratiset nga drejtësia i dënuari për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Marko Roshiq, një nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit serb të veriut Oliver Ivanoviq, është arratisur nga drejtësia.

I shpallur fajtor dhe i dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Roshiq ishte liruar nga paraburgimi dhe po mbrohej në liri.

Megjithatë, pas shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj tij dhe tre të tjerëve të premten e 28 qershorit, Roshiq është arratisur nga drejtësia, ka mësuar Paparaci nga burime brenda organeve të drejtësisë.

Ai nuk është gjetur në shtëpinë e tij në Mitrovicën e Veriut nga zyrtarët policorë të Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli më 28 qershor aktgjykimin për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke i dënuar me burgim katër persona, ndërsa e liroi një tjetër.

Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u dënuan në total me 22 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Sillvana Arsoviq u lirua nga akuzat.

Marko Roshiq, u dënua me dhjetë vjet burg për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë në vlerë 10.000 euro.

Shpallja e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit u bë pas një procesi katërvjeçar gjyqësor.

Në vitin 2020, Prokuroria Speciale e ngriti aktakuzën e tretë të plotësuar, pasi e para ishte ngritur në nëntor të vitit 2019, ndërsa në dhjetor të po atij viti ishte ngritur edhe aktakuza e dytë e ndryshuar.

Megjithatë, në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, përkatësisht janë përmendur vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, por jo edhe autori apo organizatori i vrasjes.

Ndërkohë, në fund të dhjetorit të vitit 2023, Prokuroria Speciale ngriti edhe një aktakuzë kundër një personi me inicialet M.M., për shkak të dyshimit se ai ka qenë edhe anëtar i një “grupi të organizuar kriminal”, të lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, por edhe për shkak të “pengimit të procesit gjyqësor”, “kanosjes” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Të ngajshme

Detaje tronditëse – U përplasë nga një veturë teksa ishte në shiritin emergjent në autostradën “Arbën Xhaferi”

Donat Hashani

Pas paraqitjeve “live” në Tik Tok, Hajrizi lajmërohet edhe në emision: S’jam as në Kosovë e as në Ballkan (VIDEO)

Donat Hashani

OVL e UÇK-së në Ferizaj kërkon nga Shkupi lirimin e menjëhershëm të Blerim Ramadanit

Donat Hashani