Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për veprën penale zjarrvënie, ku më 3 gusht ishte djegur një veturë e tipit “Audi” në rrugën “Asllan Pireva”, në Prishtinë.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se të arrestuar janë një 61-vjeçar dhe një tjetër person i moshës 25-vjeçare.
“Ndërmarrja e veprimeve hetimore dhe veprimeve të tjera operative të kryera nga njësiti i hetimeve të stacionit policor Veriu në Prishtinë, ka rezultuar me identifikimin si dhe arrestimin e të dyshuarve; S. Sh. 61 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe B. K. 25 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilët dyshohet me bazë të jenë përfshirë në rastin në fjalë”, thuhet në njoftim.
Të dyshuari, pas arrestimit, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u dërguan në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, si vijimësi e fazave të mëtejme të procesit hetimor.