Një zyrtar policor dyshohet të jetë përfshirë në një rast rrëmbimi që kishte ndodhur më 19 shtator 2025 në lagjen Veternik të Prishtinës.
Lidhur me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Policia e Kosovës kanë ndaluar katër persona të dyshuar, përfshirë edhe zyrtarin policor.
Pas veprimeve intensive hetimore nga hetuesit policorë dhe në bashkëpunim me IPK-në, është arritur të sigurohet prezenca e të dyshuarve. Gjatë operacionit hetimor janë sekuestruar një armë zjarri dhe një lodër që imiton armën automatike AK-47.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh për katër personat e ndaluar, ndërsa IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e zyrtarit policor si pjesë e procedurave administrative.
Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës, IPK-së dhe Prokurorisë, me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit.
Me ndalimet e fundit, numri i përgjithshëm i të arrestuarve në lidhje me këtë rast ka arritur në tetë.