Arti në zi. Aktori i njohur Zef Deda ka ndërruar jetë. Mjeshtri i humorit shkodran ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Prej kohësh Deda vuante nga një sëmundje e rëndë.
Ndërkohë, djali i tij, Julian Deda ka reaguar në rrjetet sociale, duke vendosur dhe një fiongo të zezë në shenjë zie.
Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si ‘Charlie Chaplin’ i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Eshtë shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë. Fillon shkollën e lartë për gjuhë – letërsi, por nuk e mbaron dot për arsye shëndetësore.
Ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkelqyër psiko-fizike ai arrine të realizojë qindra figura artistike. Prandaj dhe është mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë Shkodran.
Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak të emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdon me shumë sukses. Zef Deda është i martuar me Rozina Dedën dhe ka dy djem, Julian Deda dhe Marjan Deda. Zef Deda gjithashtu ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj.