Telenews

Artistja Adelina Thaçi i bashkohet LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se artistja Adelina Thaçi Meta është anëtarja më e re e kësaj partie.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se Adelina Thaçi Meta “hap një kapitull të ri të angazhimit qytetar e politik” dhe i bashkohet LDK-së duke sjellë me vete profesionalizëm, integritet dhe humanizëm.

Ndryshe, Adelina është vajza e yllit tashmë të ndjerë , humoristit, Rasim Thaçi- Cima.
Postimi i plotë i Abdixhikut:

Mirë se vjen, Adelina!

Adelina Thaçi Meta, një nga zërat më të fuqishëm dhe më të dashur të skenës muzikore shqiptare, nga sot i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Me mbi dy dekada karrierë të suksesshme në muzikën klasike dhe atë moderne, Adelina është një prej emrave më përfaqësues të kulturës sonë. Soprano profesionale, këngëtare e suksesshme e muzikës pop dhe profesoreshë me përvojë të gjatë në vokal, ajo ka shënuar arritje që e vendosin ndër artistet më të respektuara të vendit dhe rajonit.

Ajo ka qenë soliste e Filharmonisë së Kosovës për më shumë se një dekadë, profesoreshë e solo-këndimit për 23 vite, dhe aktualisht ligjëruese universitare në lëndët Teknikë Vokale, Diksion dhe Repertor. Arsimimin e kreu në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, Adelina ka ndërtuar një profil të lartë profesional e akademik.

Në skenën ndërkombëtare ka shkëlqyer me interpretimet e saj operistike, bashkëpunimet me dirigjentë të njohur, debutimet në role të rëndësishme dhe me projektin madhor të duetit “Dolce Suono” me tenorin me famë botërore José Carreras. Po ashtu, ajo ka përfaqësuar vendin në festivale të mëdha në Kroaci, Itali, Gjermani e deri në SHBA.

Në muzikën pop, Adelina është artiste fituese e shumë çmimeve të para në festivale prestigjioze në Kosovë e Shqipëri, me tri albume e dhjetëra këngë e videoprojekte të suksesshme. Si trajnere vokale dhe themeluese e Ansamblit Vokal “Zanat”, ajo ka kontribuar në rritjen e brezave të rinj të artistëve dhe në promovimin e vlerave tona kulturore e muzikore në vend dhe jashtë tij.

Sot, Adelina Thaçi Meta hap një kapitull të ri të angazhimit qytetar e politik. Ajo i bashkohet LDK-së duke sjellë me vete profesionalizëm, integritet, humanizëm dhe një reputacion që na nderon.

LDK fiton sot një kuadër të çmuar një artiste që beson në vlerat tona, në rrugëtimin tonë dhe në misionin për të ndërtuar një Kosovë me më shumë kulturë dhe zhvillim.

Ardhja e saj, dhe e shumë të tjerëve që po na bashkohen, është një thirrje për bashkim të secilit që beson se vendi meriton më shumë; që dëshiron ndryshim e që angazhohet për të.

Dyert tona janë të hapura.

Adelina është e martuar me Bardhylin dhe kanë dy vajza Fionën dhe Melisën. 

Të ngajshme

Hero në ditën e lindjes: Shqiptari shpëton 85-vjeçarin italian nga mbytja në kanal

Valjeta Turkaj

Policia e Kosovës forcon bashkëpunimin me FBI-në

Valjeta Turkaj

Kadetët e FSK-së shkëlqejnë në Gjermani: Një sukses që nderon Kosovën!

Valjeta Turkaj