Telenews

ASK: Biznes, Administratë dhe Ligj – fushat më të preferuara nga studentët në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Arsimit të Lartë sipas fushave të studimit për vitin akademik 2024/2025.

Sipas njoftimit për media thuhet se fusha “Biznes, Administratë dhe Ligj” vazhdon të jetë më e preferuara për studentët e rinj.

“Në vitin akademik 2025/2026, ndër studentët e regjistruar për herë të parë në nivelin Bachelor, numri më i madh i regjistrimeve është evidentuar në fushën “Biznes, administratë dhe ligj”, me gjithsej 5 416 studentë, që përbëjnë 30,8% të numrit të përgjithshëm të studentëve të regjistruar. Në anën tjetër, numri më i vogël i regjistrimeve është shënuar në fushën “Bujqësi, pylltari, peshkim dhe veterinari”, me 259 studentë ose 1,5% të totalit”, thuhet në njoftim duke shtuar “Fusha “Biznes, administratë dhe ligj” prin edhe në regjistrimet e reja në nivelin Master”.

Tutje bëhet e ditur se edhe në nivelin Master, gjatë vitit akademik 2025/2026, fusha “Biznes, administratë dhe ligj” ka shënuar numrin më të madh të studentëve të regjistruar për herë të parë.

“Në këtë fushë janë regjistruar gjithsej 1 528 studentë, që përbëjnë 32,9% të numrit të përgjithshëm të studentëve të regjistruar për herë të parë në këtë nivel studimi. Numri më i vogël i regjistrimeve të reja në nivelin Master është shënuar në fushën “Bujqësi, pylltari, peshkim dhe veterinari”, me 77 studentë, ose 1,7% të totalit”.

Pjesëmarrja e femrave në fushën “Arsimi” siç bëhet e ditur në njoftimin e ASK-së është dukshëm më e lartë në nivelin Master.

“Të dhënat për vitin akademik 2025/2026 tregojnë dallime të theksuara gjinore ndërmjet fushave të studimit në nivelin Master. Dallimi më i theksuar në favor të femrave vërehet në fushën “Arsimi”. Nga gjithsej 1 053 studentë të kësaj fushe, 87.4% janë femra”.

Ndërkaq, në fushën “Inxhinieri, prodhimi dhe ndërtimi”, përbërja gjinore e studentëve është pothuajse e barabartë. Nga gjithsej 1 459 studentë, 730 janë femra dhe 729 janë meshkuj, që përfaqësojnë afërsisht 50.0% të numrit të përgjithshëm për secilën gjini. /Telegrafi

Të ngajshme

Nagavci: Deri në javën tjetër funksionalizohet grupi punues për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së

Rrezarta Ramaj

Kuvendi miraton në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave

Rrezarta Ramaj

Haxhiu firmos Ligjin për Specialen, i përcillet Presidentes për dekretim

Rrezarta Ramaj