Telenews

ATK nën drejtimin e Murtezajt: Nga 456 në 952 milionë euro të hyra

Në ambientet e ATK-së, përmes një ceremonia, Drejtori i deritashëm i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj i ka dorëzuar detyrën pasardhësit të tij, Mentor Hyseni.

E mbi punën e tij si drejtor, por edhe si punëtor jetëgjatë në Administratën Tatimore të Kosovës, vetë Murtezaj i ka shkruar disa fjalë në profilin e tij në Facebook.

Ai thotë se shërbimi i tij prej më shumë se dy dekadash në Administratën Tatimore të Kosovës, ka qenë i gjatë, por edhe me shumë sfida, mësime e suksese të përbashkëta.

“Në mandatin tim si Drejtor i Përgjithshëm kemi zhvilluar shumë reforma dhe kemi shënuar shumë rezultate, të cilat reforma dhe rezultate u vlerësuan nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, ku si kulm i vlerësimeve pozitive është Raporti i FMN-së i publikuar në janar/2025, ku ATK-ja në 7 nga 8 indikatorët matës është shumë më mirë se vendet në zhvillim (përfshi vendet e Ballkanit) dhe në 5 nga 8 indikatorët matës të krahasohet me vendet e zhvilluara (përfshi vendet e BE-së)”, tha Murtezaj ndër të tjera.

Tutje, ai evidentoi disa nga, siç tha, të arriturat kyçe gjatë shërbimit të tij në ATK:

* Ngritja e vlerësimit të institucionit të ATK-së, nga një institucion i krahasuar vetëm me vendet e rajonit, tanimë ATK-ja konsiderohet institucion i modernizuar dhe i krahasuar me vendet e zhvilluara (vendet e BE-së),

* Më tepër se dyfishim i rritjes së të hyrave, nga 456 mil euro sa ishin në vitin 2018, në mbi 952 mil euro në vitin 2024!

* Ngritje e inkasimit të borxheve tatimore, nga 94 mil euro sa ishin në vitin 2018, në mbi 220 mil euro në vitin 2024!

* Rritje e bizneseve që paguajnë tatime, nga 49 mijë sa ishin në vitin 2018, në mbi 66 mijë në vitin 2025!

* Përmirësim i dukshëm i integritetit të institucionit, duke shënuar rënie të percepcionit të publikut për korrupsion nga 35.3% sa ishte në vitin 2019, në 17.1% në vitin 2024 (Raporti i UNDP, i publikuar korrik/2024). Ky përmirësim është si rezultat i vendosjes së mekanizmave të fortë të kontrollit, për ngritje të llogaridhënies dhe përgjegjësisë së stafit.

Në aspektin personal, ai tha se ndihet i përmbushur dhe shumë krenar për të gjitha këto suksese, “dhe që faqebardhë po përfundoj një kapitull të karrierës sime profesionale, duke hyrë i vetmuar në dyert e ATK-së në vitin 2001, dhe duke dalë me plot miq dhe bashkëpunëtorë në vitin 2025”.

Murtezaj falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe – kolegët, bashkëpunëtorët vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe qytetarët dhe bizneset me të cilët thotë se ka ndarë një vizion të përbashkët për një Kosovë më të drejtë, më transparente dhe më të zhvilluar ekonomikisht.

“Me përfundimin e këtij kapitulli, mbetem i hapur për angazhime të reja profesionale dhe shpresoj që përvoja dhe njohuritë e fituara gjatë këtyre viteve do të vazhdojnë të jenë në shërbim të vendit tim”, deklaroi Murtezaj.

Për punën e Murtezajt në këtë institucion ka shkruar edhe nipi i tij, Aulon Murtezi.

Ai ka thënë se axha i tij, Iliri, ka qenë një prej figurave kyçe në konsolidimin dhe zhvillimin e ATK-së, duke kontribuar në ndërtimin e një administrate tatimore moderne, transparente dhe efikase.

Auloni thotë se në rolin e tij si Drejtor i Përgjithshëm, ka udhëhequr reforma strukturore të rëndësishme, duke implementuar politika të avancuara të digjitalizimit të proceseve dhe duke forcuar kapacitetet institucionale për mbledhjen dhe menaxhimin e të hyrave publike.

“Gjatë mandatit të tij, ATK ka shënuar përparim të ndjeshëm në luftën kundër informalitetit, duke rritur nivelin e pajtueshmërisë tatimore”, shprehet Auloni.

Për më tepër, ai potencon se përkushtimi i xhaxhait të tij ka gjetur vlerësim të gjerë nga institucionet vendore e ato ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar(FMN) të cilat kanë lëvduar rolin e tij në harmonizimin e standardeve të administrimit tatimor me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Të ngajshme

Albana Pllana kandidon për Asamblenë e Prishtinës me partinë GUXO

Valjeta Turkaj

Arrestohet një person për zjarrvënie në fshatin Katundi i Ri në Pejë

Valjeta Turkaj

Shkaktoi aksident të rëndë, i riu nga Kosova dënohet me gati 4 vjet burgim dhe dëbim nga Zvicra

Valjeta Turkaj