Telenews

Auditori gjen parregullsi në tenderë të Ministrisë së Arsimit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar disa parregullsi në Ministrinë e Arsimit, në veçanti për proceset e vlerësimit të tenderëve. Sipas Auditorit, në aktivitetin e prokurimit “Projektimi i çerdhes tipike të parafabrikuar për 80 fëmijë’’, vlerësimi i ofertave ishte kryer me 16 ditë vonesë përtej afateve ligjore duke i marrë për bazë edhe afatet shtesë.

“Procesi i hapjes së ofertave u zhvillua më 17.07.2023, ndërsa vlerësimi u përfundua me 21.09.2023”, thuhet në Raportin e Auditimit për Pasqayrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2023.

Po ashtu në dosjen e tenderit “Furnizimin me lëndë të parë dhe paisje të profilit të floktarisë, estetikës për kryerjen e praktikës profesionale”, te kapacitetet teknike dhe profesionale është kërkuar që operatorët ekonomik pjesëmarrës të kenë kontrata për furnizime të ngjashme, në tri vitet e shkuara.

“Nga lista e kontratave të realizuara që kishte ofruar operatori fitues vërehet që furnizimet nuk e kishin natyrën e ngjashme (aktivitet kryesor kishin botimin dhe shtypjen e materialeve). Komisioni i vlerësimit nuk e kishte parandaluar këtë mangësi dhe këtë kriter e kishte konsideruar si të përmbushur. Kontrata ishte lidhur me datë 09.08.2023 në vlerë 117,000 euro”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së shkaku kryesor i këtyre mangësive ishte mosfunksionimi i kontrolleve të brendshme dhe mungesa e kujdesit të duhur gjatë procesit të vlerësimit dhe dhënies së kontratës.

Ndikimi vonesat në vlerësim të tenderëve përveç anashkalimit të rregullave kanë ndikuar edhe në vonesat në lidhje të kontratave e rrjedhimisht në shtyrjen e furnizimeve dhe marrjen e shërbimeve.

“Po ashtu, vlerësimi jo në përputhje të plotë me kriteret në dosje mund të rezultojë në zgjedhjen e ofertuesve të cilët më pas mund të mos jenë në gjendje të përmbushin detyrimet e kontratës në kohën e duhur dhe me cilësinë e pritur”, thuhet më tej në raport.

Në rekomandimin e ZKA-së thuhet se ‘Ministrja duhet të sigurojë një monitorim efektiv përmes menaxherit të prokurimit se vlerësimi i ofertave përfundohet brenda afateve të përcaktuara duke mundësuar që furnizimet të merren në kohën e paraparë. Po ashtu, vlerësimet e ofertave duhet që të realizohen në përputhje të plotë me kriteret për kapacitetet teknike dhe profesionale të kërkuara në dosjen e tenderit”.

Ky raport ka rezultuar me nëntë rekomandime, prej tyre pesë janë rekomandime të reja, tri të përsëritura dhe një pjesërisht të përsëritur.

Të ngajshme

KEK njofton se Njësia B1 ndalet për dy ditë

KushtrimGuraj

“Ki kujdes”, Kupchan mesazh Kurtit: Trump do të bisedojë me ata që mendon se mund t’i zgjidhin problemet

KushtrimGuraj

KFOR refuzoi kërkesën e Kosovës për dërgimin e FSK-së në veri

KushtrimGuraj