Australia ndalon rrjetet sociale për të miturit, studentët gjermanë kritikojnë masën – tregojnë çfarë duhet bërë
Studentët gjermanë kanë kritikuar vendimin e Australisë për të ndaluar rrjetet sociale për të miturit nën 16 vjeç, duke thënë se masa është e gabuar dhe jo zgjidhja e duhur.
Sipas tyre, politika arsimore nuk duhet të fillojë me ndalime, por me edukim dhe aftësimin e të rinjve për t’u sjellë në mënyrë të sigurt online.
Quentin Gärtner nga Konferenca Kombëtare e Studentëve në Gjermani theksoi se të rinjtë duhet të mësohen për rreziqet, mënyrat e funksionimit të platformave dhe ndikimin në shëndetin e tyre.
Ai argumentoi se kufizimet e moshës nuk e zgjidhin problemin, pasi bëhet fjalë për një sfidë shoqërore shumë më të gjerë.
Sipas tij, shkollat duhet të kenë profesionistë të trajnuar që t’i udhëzojnë nxënësit për gjumë të shëndetshëm, përdorim të përgjegjshëm të ekraneve dhe identifikim të dezinformimit.
Gärtner shtoi se të rinjtë janë të vetëdijshëm për rreziqet dhe kërkojnë mbështetje, ndaj kërkesa për udhëzim është shumë e lartë.

