Telenews

Austria ndan nga 500 euro për çdo fëmijë të lindur nga viti 2027 –

Qeveria e Austrisë ka prezantuar një program të ri financiar, përmes të cilit synon t’u sigurojë fëmijëve një shumë fillestare prej 500 eurosh, me qëllim të nxitjes së kursimit dhe investimeve afatgjata.

Programi, i emërtuar “Zukunftsdepot” (Fondi i së Ardhmes), parasheh që çdo fëmijë i lindur nga 1 janari 2027 të përfitojë 500 euro nga shteti. Sipas planit, zbatimi i tij pritet të nisë më 1 korrik 2027.

Kjo shumë nuk do t’u jepet drejtpërdrejt prindërve, por do të investohet në një llogari të veçantë në emër të fëmijës, me synimin që vlera e saj të rritet me kalimin e viteve.

Përveç shumës së ndarë nga shteti, prindërit, gjyshërit dhe familjarët e tjerë do të kenë mundësi të kontribuojnë në fondin e fëmijës. Kontributet shtesë mund të arrijnë deri në 5 mijë euro në vit për secilin fëmijë.

Paratë e grumbulluara do të mund të tërhiqen pa tatim pasi fëmija të mbushë moshën 18-vjeçare. Ato mund të përdoren për financimin e studimeve, investime personale apo për të ndihmuar në blerjen e një prone.

Kancelari austriak, Christian Stocker, ka theksuar se qëllimi i kësaj nisme është t’u krijojë të rinjve mundësi më të mira financiare në fillim të jetës së tyre të pavarur.

Përmes këtij programi, Austria synon të promovojë kulturën e kursimit dhe investimeve afatgjata, duke u ofruar brezave të rinj një mbështetje financiare për të ardhmen.

Të ngajshme

Kriza e financimit detyron OKB-në të ndërpresë ndihmat për 500 mijë njerëz në Gaza –

KushtrimGuraj

Kontrollojeni kuletën, disa monedha 2-euroshe mund të vlejnë mijëra euro

Rrezarta Ramaj

Macron dënon protestat në Francë: Përgjegjësit do të ndiqen penalisht

Rrezarta Ramaj