Telenews

‘Baba i tenderëve’ i sanksionuar nga SHBA rehatohet në pozitë të re nga qeveria

 

 

Organizatat e shoqërisë civile (OJQ-të) kanë reaguar kundër vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për kthimin e Nexhat Krasniqit në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.

Me 3 nëntor 2023, Departamenti Amerikan i Shtetit, vendosi në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Sipas DASh-it, në cilësinë e zyrtarit përgjegjës për dizajnimin dhe mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, ai kishte keqpërdorur pozitën e tij publike “duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni.”

“Integriteti dhe kredibiliteti i qeverisjës në një shoqëri demokratike të cilën e aspiron Republika e Kosovës dëshmohet duke ndërtuar dhe zbatuar vlera dhe standarte që promovojnë sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Llogaridhënia dhe qeverisja me duar të pastra nuk e duron rehabilitimin e figurës së përsonave të cilët kanë qenë të përfshirë në afera korruptive dhe që janë subjekt i sanksioneve nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtet mik i Republikës së Kosovës. Një qasje e tillë dëmton rëndë përpjekjet dhe përkushtimin e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian që përmes asistencës financiare dhe mbështetjes diplomatike për të ndërtuar dhe zhvilluar institucione kredibile, me integritet dhe të përkushtuara për të promovuar kërkesat për një shtet ku korrupsioni dhe dukuritë negative luftohen dhe asesi promovohen”, thuhet në reagimin e organizatave.

“Në kundërshtim me frymën e parimeve themelore të një shteti demokratik dhe të së drejtës si dhe në kundërshtim me kërkesat e përditshme për të dhënë llogari dhe për të mos promovuar sjelljen kriminale, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ri-sistemuar Nexhat Krasniqin në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore”, thanë tutje ato.

“Vendimi i tillë tregon mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta të zyrtarëve publik, dëmton interesin publik dhe dëshmon paaftësinë e drejtuesve të dikastereve të caktuara të qeverisë për t’iu përgjigjur në mënyrë të duhur kërkesave për qeverisje të mirë. Në anën tjetër, drejtimi i punëve publike të rëndësishme siç është infrastruktura rrugore me persona të cilët kanë pasur probleme me ligjin, në rastin e tanishëm me dënim të formës së prerë, zbeh besimin e publikut në institucionet publike të Kosovës”, vijon më tutje reagimi.

Në shtator të vitit 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vërtetuar se Nexhat Krasniqi, se në cilësinë e zyrtarit publik kishte marrë ryshfet nga kompania Eltoni, për realizimin e Parkut Industrial në Drenas. Ai ishte dënuar me 26 muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare por që pas ankesës së ushtruar në Gjykatë të Apelit, kjo e fundit kishte zvogëluar dënimin nga 26 muaj në 18 duke e ndryshuar edhe cilësimin juridik të veprës penale. Edhe përkundër faktit se denimi i shqiptuar nga gjykata ka arritur rehabilitimin ligjor, integriteti dhe kredibiliteti i të njejtit është i dëmtuar në masë të madhe që cenon besimin e publikut që i njejti të ushtroj funksione publike që lidhen me mbikqyrjen e projekteve të cilat mund të kalojnë shifrat dhjetëra milion Euro.

“OJQ-të e poshtëshënuara kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të ndal praktikën e promovimit dhe rehabilitimit të personave të denuar për vepra penale korruptive si rrugë e vetme dhe e ruajtjes së integritetit institucional dhe promovimit të shtetit ligjor”, thuhet në reagim.

Organizatat nënshkruese.

Instituti i Kosovës për Drejtësi

Iniciativa për Progres INPO

Lëvizja FOL

Të ngajshme

Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padurim periudhën e ardhshme

KushtrimGuraj

Albin Kurti përpara një testi historik!

KushtrimGuraj

Parashikimi i motit për javën e ardhshme

KushtrimGuraj