Telenews

Babai i viktimës që u vra vitin e kaluar në Ferizaj: Ma ka vra të vetmin djalë, ma ka humb krejt familjen

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në gjykimin ndaj të akuzuarit Qëndrim Januzi, është dëgjuar babai i viktimës G.H., Vehbi Hyseni, i cili tha se i akuzuari ia ka vrarë të vetmin djalë.

“Ma ka vra të vetmin djalë, ma ka humb krejt familjen. Ka qenë djali i vetëm, i kam 5 vajza, tha ai.

Januzi po akuzohet se privoi nga jeta G.H, më 28 maj 2022, me pretendimin se i njëjti ia kishte djegur një veturë vëllait të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hyseni rrëfeu se si e kishin kuptuar për vrasjen e të birit, ndërsa tha se nuk ishte në dijeni se djali i tij kishte probleme me tani të akuzuarin.

“Kam tentu me hy brenda, Policia nuk me kanë lejuar, aty kam vërejtë nipin tim Ramadan Sahiti që ishte i gjakosur. Djali i vëllaut m’ka marrë m’ka thanë eja shkojmë në shtëpi sepse G., e shohmi ma vonë në Spitalin e Prishtinës se janë tu e dërgu atje dhe ne jemi largu nga aty kemi hy në shpi. Pastaj, pas 10 minutave kanë ardhë mjekët te shtëpia, na kanë dhënë injeksione dhe aty kam kuptuar se është diçka tragjike, dhe brenda pak minutave kuptova se G., ka ndërruar jetë. Nga ai moment ne kemi qenë pothuajse pa vetëdije, sepse nuk kemi qenë në dijeni paraprakisht lidhur me problemet që kanë pasur djali im me Qëndrimin. Kjo për neve ka qenë pa paralajmërim i zënë në befasi, ne jemi njerëz kemi mund të kuptohemi, mirëpo ndodhi në mënyrë tinzare, ma ka humb krejt familjen, ma ka vra të vetmin djalë”, tha Hyseni.

“Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.H, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ç’rast me të takuar të ndjerin, ka shtënë gjashtë (6) herë në drejtim të tij me armë zjarri, të tipit “SAUER model 38 H” e kalibrit 7.65mm dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri ndërron jetë ashtu siç është konstatuar në raportin e autopsisë, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë lidhur me ngritje të aktakuzës.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Q.J., nga koha e pa përcaktuar e deri me datën 28.05.2022, në Ferizaj, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H” e kalibrit 7,65 x 17mm, me një karikator me kapacitet prej (8) tetë fishekëve të kalibrit 7.65x17mm, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta sekuestrohet”, thuhet tutje.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së,

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale për të cilën akuzohet.

Të ngajshme

Parashikimi i Haradinajt për zgjedhjet, prognozë interesante e tij për opozitën

Donat Hashani

Politikani katalunas: Spanja hipokrite, njeh Palestinën por jo edhe Kosovën

Donat Hashani

Gjykata merr vendim ndaj të dyshuarve për plagosjen e trefishtë në Pejë

Donat Hashani