Sezoni i kaluar shënoi një risi për Barcelonën, pasi për herë të parë në histori, skuadra kishte pesë kapitenë në vend të katër kapitenëve tradicionalë. Ata ishin Marc-Andre ter Stegen, Ronald Araujo, Frenkie de Jong, Raphinha dhe Pedri.
Një tjetër fakt i pazakontë ishte se asnjë prej tyre nuk ishte produkt i akademisë së famshme të klubit, La Masia. Megjithatë, kjo mund të ndryshojë në sezonin 2025/26, sipas raportimeve të “AS”.
Vendimi për kapitenët e rinj do të merret në mënyrë kolektive nga lojtarët dhe trajneri Hansi Flick. Ky nuk do të jetë një vendim individual, por një proces i përbashkët. Flick pritet gjithashtu të diskutojë ndryshime në strukturën organizative të ekipit dhe sistemin e shpërblimeve në rast triumfi në gara.
Zgjedhja e kapitenëve këtë sezon është ndikuar nga situata me Ter Stegen, i cili mungon për shkak të një dëmtimi në shpinë që kërkon ndërhyrje kirurgjikale. Kjo situatë ka krijuar tensione brenda klubit dhe ka ngritur pikëpyetje mbi rolin e tij si kapiten.
Barcelona e ka interpretuar njoftimin e Ter Stegen për operim dhe rikuperim të zgjatur si një përpjekje për të bllokuar regjistrimin e portierit Joan García si zëvendësues i mundshëm. Mjekët sugjerojnë që periudha e rikuperimit mund të zgjasë katër deri në pesë muaj.
Pas katër muajsh, La Liga mund të aktivizojë rregullin e kompensimit, duke i lejuar Barcelonës të përdorë 80% të pagës së lojtarit të dëmtuar për të nënshkruar një zëvendësues të ri.
Votimi për kapitenët e rinj do të zhvillohet para fillimit të sezonit në La Liga, i cili nis më 23 gusht. Eric Garcia e konfirmoi këtë pas ndeshjes miqësore ndaj Vissel Kobe, duke theksuar se Hansi Flick do të jetë vendimtar në këtë proces.