Anthony Albanese është kryeministri i ri i Australisë.
Pothuajse është e pamundur që ta dëgjosh këtë emër dhe të mos e bësh pyetjen nëse ai është shqiptar.
Mbiemri i tij ‘Albanese’, që në gjuhën italiane do të thotë shqiptar, ka dhënë sinjal për prejardhje arbëreshe duke zgjuar kështu kërshërinë e shqiptarëve gjithandej botës.
Por, a ka vërtetë prejardhje shqiptare Anthony Albanese?
Kryetari i Këshillit Shqiptar në Australi, Sezar Jakupi, tha për Klan Kosovën se nga biografia e kryeministrit australian ka informacione se familja e tij e ka prejardhjen arbëreshe nga Italia.
“Biografia e kryeministrit te ri australian vërteton se u takua me babanë e tij Carlo Albanese për herë të parë në vitin 2002 në fshatin e lindjes së babait të tij në Barletta të rajonit të Puglias në Italinë Jugor. Ka informacione se kanë prejardhje arbëreshe”.

Ai foli edhe për pozitën shoqërore të shqiptarëve në Australi duke thënë se ata janë integruar mjaft mirë, duke i ruajtur edhe traditat kombëtare.
“Shqiptarët e Australisë, të cilët të parët erdhën para 100 vjetëve nga zonat juglindore të Shqipërisë, janë integruar në shoqërinë australiane kurse i kanë mbajtur traditat kombëtare e kulturore”.
Jakupi shtoi se komuniteti shqiptar atje gradualisht ka avancuar duke qenë thuajse pjesë e të gjitha sektorëve.
“Shqiptarët në fillim të emigrimit kryesisht kanë punuar në firmat bujqësore, kurse në dekadat e fundit kanë punuar në industritë e ndryshme, shembull në industri të tekstilit, prodhimit të makinave, industri të ushqimit. Në 20 vjetët e fundit kanë vazhduar edukimin nëpër fakultete dhe janë punësuar nëpër vende profesionale si: inxhinier, financa, shëndetësi”.
Kryetari i Këshillit Shqiptar në Australi njoftoi se në këtë vend jetojnë 25 mijë shqiptarë, prej tyre 5 mijë nga Kosova, derisa tha se shqiptarët vlerësohen si njerëz mjaft punëtorë dhe të besueshëm.
“Rreth 25 mijë shqiptarë jetojnë në Australi, përafërsisht jetojnë 5 mijë nga Kosova. Shqiptarët vlerësohen shumë mirë prej shumicës së australianëve. Shqiptarët njihen si punëtorë të mirë dhe të besueshëm”.

