Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Borës me rezultat 94:76 (22:17, 17:18, 24:17, 31:22), në javën e 18-të të Superligës.
Çereku i parë ishte kryesisht i baraspeshuar me prizrenasit që për një nuancë ishin më të mirë 22:17, derisa periudha e dytë ishte e barabartë, duke përfunduar 17:18, për të shkuar në pushim me rezultat 39:35.
Megjithatë, dallimi u bë në pjesën e dytë, ku vendasit ishin më të mirë. Portokallezinjtë fituan periudhën e tretë, 24:17, dhe dhjetë minutat e fundit 31:22, për të triumfuar në fund, 94:76.
Te vendasit u dalluan Jayveous Mckinnis me 14 pikë e shtatë kërcime, Mack Smith me 12 pikë e nëntë asistime dhe Lejson Zeqiri me 21 pikë, kurse te prishtinasit u dalluan Desmond Cambridge Jr me 17 pikë e katër kërcime dhe Alex Aveion Lomax me 21 pikë e katër kërcime.
Bashkimi pas 18 xhirosh numëron 13 fitore e pesë humbje, ndërsa Bora pesë fitore e 13 humbje.