SHKRUAN EDMOND VILA
Edhe një humbje e rëndë për Bashkimin në basketboll, pas asaj nga rivali lokal Proton Cable Prizreni.
Sonte ekipi i Prishtinës fitoi thellë në palestrën e Bashkimit me diferencat e thella në lojë dhe rezultat përfundimtar 82-98, duke mos i lënë ekipit prizrenas fare rast për fitore.
Te Bashkimi vazhdojnë eksperimentet që pas shkarkimit të Edin Kërveshit, i la ekipin në dorë një trajneri që s’ka fare përvojë dhe disfata ishte sikur alarmi i mëngjesit që zgjon pa qare për punë.
Përpos lojës anemike dhe pa asnjë ide për lojë, Bashkimit po i dështojnë transferet sikur rasti i Brad Waldow që paguhet me shifra marramendëse dhe nuk arrin të shënojë nga pozitat ideale nën kosh, për çka edhe duket si një lojtar amator i cili lë shumë për të dëshiruar.
Te Bashkimi i dështuar është edhe Eduards Hazners, letonezi që erdhi nga liga e tretë e Francës dhe i cili sikur s’ka asnjë ide në parket, se ka ardhur për të luajtur basketboll. Hiç më mirë s’po performojnë as të huajt si Umipig e Lozoya, derisa i vetmi që mundohet dhe kryen punë është Eric Copes.
Bashkimi këtë sezon paralajmëroi sponsorë të fuqishëm dhe ndryshime radikale në klub, por ato nuk po duken askund në fushë, derisa publiku ditë për ditë zhgënjehet më shumë e më shumë.
Te Prishtina vazhdon ngritja e formës që nga largimi i trajnerit lituanez, Zydrunas Urbonas dhe lojtarët duken sikur kanë rilindur.
Pas 12 xhirosh në Superligë, Prishtina ka shtatë fitore e pesë humbje në pozitën e pestë e Bashkimi gjendet i parafundit me tetë humbje e katër fitore.