Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar rezultatet e votave me postë, pas numërimit të 77.54 përqind të votave. Për të përfunduar numërimi i gjithë këtyre votave, kanë mbetur edhe 42 kuti. Nga rezultatet e deritashme, VV’ja prin me 52.15 përqind, pasuar nga LDK’ja me 29.24 përqind, PDK’ja me 9.70 përqind dhe AAK’ja me 3.06 përqind. Por, kush është në dhjetëshen më të votuar nga secila parti?
Nga Lëvizja Vetëvendosje më i votuari është bartësi i listës, njëherit kandidati për kryeministër Albin Kurti, i cili ka marrë 20 mijë e 273 vota. Pas tij renditen Glauk Konjufca me 17 mijë e 882 vota dhe Xhelal Sveçla me 11 mijë e 653 vota. Krahasuar me votimin nëpër përfaqësitë diplomatike e votat e rregullta, Sveçla tek votimi me postë ka lënë pas Ministrin Faton Peci dhe Hekuran Murati, ku Peci ka marrë 11 mijë e 488 vota dhe Murati 11 mijë e 147 vota, shkruan Reporteri.net.
Në dhjetëshen më të votuar të kësaj partie janë edhe Albulena Haxhiu me 10 mijë e 859 vota, Donika Gërvalla me 10 mijë e 58 vota, Mimoza Kusari-Lila me 6 mijë e 989 vota, Arben Vitia me 6 mijë e 891 dhe Ejup Maqedonci me 5 mijë e 678 vota.
Tek lista e LDK’së ka befasi.
Dhjetëshja më e votuar nis me bartësin e listës e kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhiku me 10 mijë e 858 vota, i cili pasohet nga Kujtim Shala me 7 mijë e 601 vota.
I treti më i votuari nga votimi me postë është Hysen Çekaj me 7 mijë e 457 vota. Ai pasohet nga Doarsa Kica-Xhelili me 6 mijë e 249 vota, Gazmend Muhaxheri me 3 mijë e 141 vota, Bahrije Hyseni me 2 mijë e 694 vota, Hykmete Bajrami me 2 mijë e 555 vota, Alban Zogaj me 2 mijë e 470 vota, Fatmir Asllani me 2 mijë e 317 vota dhe Jeta Rafuna me 2 mijë e 236 vota.
Nga PDK më i votuari është bartësi i listës e kandidati për kryeministër Bedri Hamza, i cili ka marrë 2 mijë e 901 vota. Pas tij renditet kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi me 1 mijë e 610 vota. Me renditje ka befasuar Ragip Xhaka, i cili është i tretti me 1 mijë e 309 vota, pasuar nga Vlora Çitaku me 1 mijë e 53 vota, Ganimete Musliu me 787 vota, Përparim Gruda me 770 vota, Enver Hoxhaj me 754 vota, Artan Behrami me 752, Xhavit Halili me 747 dhe Nait Hasani me 723 vota.
Ndërkohë nga AAK, dhjetëshja më e votuar është: Ramush Haradinaj me 1 mijë e 147 vota, Daut Haradinaj me 808 vota, Time Kadriaj me 566, Bekë Berisha me 443, Fatmir Limaj me 401, PalLekaj me 372, Lahi Brahimaj me 360, Bashkim Ramosaj me 334, Besnik Tahiri me 327 dhe Ardian Gjini me 320.
Numërimi i votave me postë pason me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se shumë shpejt pritet që të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Besojmë që shumë shpejt do të arrijmë ta përmbyllim numërimin në të gjitha fletvotimeve që i takojnë votimit me postë. Pas kësaj do të mund të fillojmë numërimin e fletëvotimeve me kusht i cili është zhvilluar në 56 vendovotimeve si dhe pastaj numërimit të votave të personave me nevoja të veçanta. Pasi të përmbyllen të gjitha këto procese dhe të marrim konfirmimin nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe Gjykatës Supreme që nuk ka ndonjë çështje që është duke u shqyrtuar në këto institucione, atëherë KQZ do të shpall rezultatin përfundimtar për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.” ,ka thënë Elezi.