Katër kandidatët humbës sipas Sali Berishës zgjodhën rrugën e gabuar për të kërkuar rinumërimin e votave të tyre.
Kryedemokrati e cilësoi keqkuptim ankimimin e Alimehmetit, Hajdarmatajt, Hoxhës dhe Kucanes, të cilët as nuk e pyetën dhe as nuk e pritën, por u ankuan vetë në KAS.
“Shumë zhurmë për asgjë. Venecia, ODIHR dhe kodi ynë ia njohin këtë të drejtë subjekteve politike që investohen edhe për kandidatin. Kandidatët e Tiranës u informuan sërish dje që rruga që kanë ndjekur është joligjore. Përfaqësuesit tanë në KAS kanë zbatuar ligjin. Ata nuk mund të votonin për një akt që është hequr me ligji. Këta të katërt kanë të drejtë të depozitojnë ankesën tanë pranë përfaqësuesve tanë në KQZ dhe ata do e paraqesin siç dëshirojnë kërkesën pranë KQZ-së. Pra, ka qenë vetëm një keqkuptim nga ana e tyre”, tha ai.
Por ujërat nuk duken të qeta në selinë blu. Ndaj Berisha u kërkoi sërish durim dhe që kërkesat t’i bëjnë nëpërmjet përfaqësuesve ligjore të partisë.
“Ata nuk duhet të humbasin kohën, t’i paraqesin ato që kanë paraqitur në KAS, pranë përfaqësuesve tanë në KQZ, që përfaqësuesit tanë për qarqet që kanë marrë vendime për vlefshmëri apo pavlefshmëri të procedojnë me shqetësimet e tyre”, ka thënë Berisha.
Pasi pa që ndërkombëtarët jo vetëm certifikuan zgjedhjet, por nuk munguan as urimet për lidershipin e ri, Berisha doli këtë të shtunë në konferencë me një rezolutë të internacionales demokrate. Bashkë me të edhe me një fajtor të ri për humbjen e zgjedhjeve.
“Kontrolli i partisë në pushtet mbi median, censura editoriale dhe ndalimi me motiv politik i platformës TikTok dëmtuan rëndë mundësinë e votuesve për të pasur qasje në informacion të balancuar dhe të larmishëm”, shtoi ai.